Kosova

Sa është borxhi publik në Kosovë?

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se borxhi publik në fund të vitit 2018 ka arritur në 1.1 miliard euro që është për 9.7 për qind më i lartë krahasuar me vitin 2017

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se të hyrat buxhetore deri në nëntor 2018 arritën vlerën neto prej 1.60 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 4.4 për qind.

“Këto të hyra janë në kuadër të të hyrave buxhetore nuk përfshihen të hyrat nga huamarrjet, të hyrat nga privatizimi, pranimet nga grantet e përcaktuara të donatorëve dhe pranimet nga depozitat në mirëbesim. Rritja e arkëtimit të të hyrave buxhetore erdhi si rezultat i rritjes së aktivitetit ekonomik, por edhe reformave të ndërmarra nga agjencitë e të hyrave që kanë për synim ngushtimin e hendekut tatimor. Sa i përket llojit të tatimeve, vërehet rritje më e lartë e të hyrave tatimore direkte të cilat arritën vlerën prej 249.3 milionë euro (11.8 për qind rritje), ndërsa të hyrat tatimore indirekte shënuan rritje prej 2.9 për qind dhe arritën vlerën prej 1.2 miliardë euro. Të hyrat jotatimore shënuan rritje prej vetëm 0.9 për qind dhe arritën vlerën prej 174.2 milionë euro”, thuhet në raportin e BQK-së “Vlerësimi Tremujor i Zhvillimeve Makroekonomike”, raporton RTKlive.

Ndërkaq, sa u përket shpenzimeve buxhetore, sipas BQK-së,ato arritën vlerën prej 1.66 miliardë euro që paraqet një rritje vjetore prej 13.0 për qind. Gjatë kësaj periudhe të gjitha kategoritë e shpenzimeve buxhetore u karakterizuan me rritje, përcjell albinfo.ch.

“Shpenzimet qeveritare për paga dhe mëditje shënuan rritje prej 7.6 për qind dhe arritën vlerën prej 540.0 milionë euro. Shpenzimet qeveritare për mallra dhe shërbime (përfshihen edhe shpenzimet komunale) shënuan rritje për 17.2 për qind dhe arritën vlerën prej 203.7 milionë euro. Subvencionet dhe transferet shënuan rritje për 13.0 për qind dhe arritën vlerën prej 499.6 milionë euro. Investimet kapitale, të cilat përfaqësojnë rreth 25.5 për qind të gjithsej shpenzimeve buxhetore, shënuan rritje prej 18.6 për qind dhe arritën vlerën 422.0 milionë euro. Rrjedhimisht, si rezultat i rritjes më të lartë të shpenzimeve buxhetore krahasuar me të hyrat, buxheti i Kosovës regjistroi deficit primar buxhetor prej 57.2 milionë euro krahasuar me suficitin prej 65.9 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit 2017, përderisa si përqindje e BPV-së, deficiti primar ishte 0.8 për qind”, thuhet në raportin e BQK-së “Vlerësimi Tremujor i Zhvillimeve Makroekonomike”.