Lifestyle

Yjet flasin për gratë model në biznesin e filmit në Hollywood

Yjet filmike Gabrielle Union, Rita Wilson dhe Alyssa Milano janë bërë bashkë në një ceremoni të organizuar për Ditën e Gruas në Hollywood. 

Gjatë parakalimit në tepihun e kuq, aktorja Union ka përmendur yllin Jessica Alba si shembull që duhet ndjekur nga gratë në industrinë filmike. 

“Jam me fat që kam punuar çdo ditë me Jessica Alban, e cila i dha tjetër kuptim fjalës Hollywood. Është personi më inteligjent që e kam takuar në jetë dhe ka krijuar një biznes të suksesshëm si një nënë e tre fëmijëve”, ka thënë Union. 

Aktorja veterane, Rita Wilson, ka thënë se Michelle Obama dhe Oprah Winfrey janë disa prej grave që kanë shërbyer si frymëzim gjatë viteve të fundit.

“Më duhet të them se ka shumë gra që më kanë frymëzuar për arsye të ndryshme. Michelle Obama ka vazhduar të na japë mësime dhe të bëjë punë publike. Oprah Winfrey është një tjetër grua e suksesshme që po mendon për fuqizimin e njerëzve”, ka thënë veç të tjerash ajo.