Kosova

Serbia kundërshton platformën kosovare për dialog

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia nuk do të pajtohet me ultimatumin që Prishtina dhe mentorët e saj perëndimorë e vendosën përmes platformës për dialogun (e miratuar të enjten nga Kuvendi i Kosovës).

“Bashkimi Evropian më ka mashtruar, pasi kishte premtuar se ajo platformë nuk do të jetë në rend dite të Kuvendit të Kosovës”, tha Vuçiq gjatë një tubimi në Mitrovicën e Sremit, duke shtuar se Kosova dhe partnerët e saj duan të shkatërrojnë Serbinë.

Kundër platformës së Kosovës për bisedime me Serbinë ka folur të premten edhe kryeministrja serbe, Ana Brnabiq. Ajo tha se miratimi i kësaj platforme nga ana e Prishtinës është goditja e fundit që i bëhet dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Më herët Bashkimi Evropian vlerësoi se platforma për bisedime me Serbinë e miratuar nga Kuvendi i Kosovës paraqet “pozicionin vetëm të njërës palë”. 

“Bashkimi Evropian, si ndërmjetës, nuk i komenton pozicionet individuale të palëve në dialog, por është më se e qartë se vetëm përmes dialogut mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare”, ka thënë zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq, shkruan REL, përcjell albinfo.ch.

Autoritetet qeverisëse në Kosovë, pa dy partitë më të mëdha opozitare, kanë hartuar platformë dhe kanë miratuar Ligjin për dialogun, ndërkohë që nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u bëhet e qartë se vazhdimi i dialogut ndërlidhet me pezullimin e tarifës doganore që u është vendosur importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.