Tematike

Kush ka mbi 100 mijë franga, nuk merr ndihmë plotësuese në pension

Ndërsa te çiftet, pasuria prej 200 mijë frangash përbën “pragun” nga i cili nuk u takojnë ndihmat në fjalë

Personat që jetojnë të vetëm, në rastet kur pasuria e tyre kalon 100 mijë franga, nuk kanë të drejtë të përfitojnë nga ndihmat plotësuese (kompensuese ose EL) që i jep shteti për personat me pensione të ulëta. Ndërsa te çiftet, pasuria prej 200 mijë frangash përbën “pragun”, nga i cili nuk u takojnë ndihmat në fjalë, shkruan srf.ch. Këtë e ka propozuar sot Konferenca (Komisioni) e përbashkët e thirrur për reformimin e Ndihmës Kompensuese (EL).

Ideja e vendosjes së një pragu të tillë ka bërë që edhe Dhoma Nacionale të përfshihet në këtë debat. Dhoma e Kantoneve e ka luftuar deri në fund idenë në fjalë, transmeton albinfo.ch. Në konferencën e përbashkët, vendimi është marrë me 18 vota për, 6 kundër dhe dy abstenime.

Rezistenca e Dhomës së Kantoneve kishte të bënte me të ashtuquajturën hua të siguruar. Një hua e tillë duhej të ndalonte që njerëzit e moshuar të detyrohen të lëshojnë banesat e tyre private  për arsyen se u janë ndërprerë të ardhurat nga ndihma kompensuese (EL). Huaja në fjalë e vendosur si hipotekë mbi pronën duhej të paguhej pas vdekjes. Dhe kjo pikë tash është hequr nga rendi i ditës.

Po ashtu shtëpia ose banesa private në të cilën banon pensionisti nuk numërohet si pasuri që do t`ia pamundësonte atij të merrte ndihmën kompensuese. Me këtë, huaja e siguruar në formë hipoteke do të jetë e panevojshme.

Sa u përket të ashtuquajturave kontribute të lira të pasurisë, Komisioni ka ndjekur qëndrimin e Dhomës së Kantoneve, transmeton albinfo.ch. Dhoma Nacionale ndërkaq kishte dashur që kontributet e përmendura të uleshin në 25.000 franga për personat e vetëm dhe 40.000 franga për çiftet.

Edhe propozimi për shkurtimin e të drejtës për EL është hedhur poshtë, transmeton albinfo.ch. Më parë, Dhoma Nacionale kishte vendosur që personat të cilët e kanë tërhequr si kapital pasurinë nga sigurimi i detyruar profesional dhe e ka shpenzuar atë paraprakisht, të marrë 10% më pak EL.

Në versionin e komisionit, përmes reformës së EL do të kursehen 453 milionë franga, që janë 26 milionë më shumë se në versionin e Dhomës së Kantoneve ose 10 milionë më pak se Dhoma Nacionale.