Integrimi

Kapet i dyshuari për vrasjen e kosovarit para klubit të natës

Siç ka njoftuar sot policia e Bernës, i dyshuari për vrasje, një shtetas 41 vjeçar i Maqedonisë është arrestuar vetëm disa orë pasi ka ndodhur vrasja

Është identifikuar dhe arrestuar një person i dyshuar për vrasjen e një kosovari, që ka ndodhur më 17 shator para një klubi nate (“Club 3000) në Lätti të Rapperswilit, kanoni i Bernës.  

Konflikti kishte filluar në hapësirën për duhanxhinj në klubin e përmendur dhe kishte vazhduar edhe jashtë tij. Në parkingun e klubit pastaj zënka është përshkallëzuar në një rrahje ku janë përfshirë disa persona. Në këtë përleshje ka pësuar një kosovar 39 vjeç i cili ka vdekur nga therja me thikë, shkruan bernerzeitung.ch.

Policia ende nuk ka informacione për rrjedhën e ngjarjes dhe për motivin që e ka shkaktuar atë. Por, siç ka njoftuar sot policia kantonale e Bernës, i dyshuari për vrasje, një shtetas 41 vjeçar i Maqedonisë është arrestuar vetëm disa orë pasi ka ndodhur vrasja. Veç tij janë arrestuar edhe pjesëmarrës të tjerë në rrahje, të cilët janë liruar më vonë dhe po hetohen për pjesëmarrje në rrahje.

Pronarët dhe punëtorët e klubit para të cilit ka ndodhur vrasja nuk janë të përfshirë në konflikt.