Integrimi
Dritani përfaqëson shqiptarët dhe migrantët e tjerë
Për Dritan Sylejmanin mund të votohet në qarkun zgjedhor Hochdorf, ku përfshihen 14 komunat me sa vijon: Aesch (LU), Altwis, Ballwil, Emmen, Ermensee, Eschenbach (LU), Hitzkirch, Hochdorf, Hochenrain, Inwil, Rain, Römerswil, Rothenburg dhe Schongau
Në garat për Parlamentin e Kantonit të Lucernit, që mbahen më 31 mars të këtij viti, merr pjesë edhe Dritan Sylejmani, i cili “mbron ngjyrat” e Partisë Socialdemokrate të Zvicrës. Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me politikanin e ri shqiptarozviceran, ku ai shpalos kauzën për të cilën do të angazhohet në fushatën zgjedhore dhe pas zgjedhjes deputet. Sylejmani premton, veç tjerash, se me kompetencën që ka si person me prejardhje të huaj, do të angazhohet për zgjidhjen e shumë problemeve administrative sa i përket të drejtës së punës dhe banimit për migrantët, pastaj për bashkimin familjar, rregullimin më të lehtë të lejeqëndrimit etj.
Albinfo.ch: Ju jeni kandidat i SP-së për deputet në Parlamentin e Kantonit të Lucernit, në zgjedhjet që mbahen më 31 mars 2019. Kur keni filluar aktivitetin politik dhe ku? A jeni pjesë e aktiviteteve partiake të SP-së në vendin ku jetoni?
Dritan Sylejmani: Me aktivitet politik kam filluar qe pesë vjet, si anëtar i SP-së në Emmen. Para tre vjetësh isha kandidat për asambleist në Kuvendin Komunal të Emmen-it. Ndërsa tani jam emërtuar nga SP Lucern për kandidat në Parlamentin Kantonal të Lucernit për qarkun zgjedhor Hochdorf.
Albinfo.ch: Na tregoni më shumë hollësi për lexuesit tanë të interesuar për të votuar: Në cilën listë jeni, në cilat lokalitete, qytete ose fshatra mund të votohet emri juaj?
Dritan Sylejmani: SP në Luzern është në listën 3. Unë jam në listën 3 të SP-së. Për këtë listë mund të votohet në qarkun zgjedhor Hochdorf, ku përfshihen 14 komunat, me sa vijon: Aesch (LU), Altwis, Ballwil, Emmen, Ermensee, Eschenbach (LU), Hitzkirch, Hochdorf, Hochenrain, Inwil, Rain, Römerswil, Rothenburg dhe Schongau.
Albinfo.ch: A ka shqiptarë të tjerë që garojnë në regjionin e njëjtë, respektivisht a ju kryqëzohen interesat me ndonjë kandidat eventual shqiptar, të partisë tuaj ose të ndonjë partie tjetër?
Dritan Sylejmani: Në qarkun zgjedhor Hochdorf si kandidat i SP-së jam vetëm unë me prejardhje shqiptare që garoj për Parlamentin Kantonal të Lucernit.
Albinfo.ch: Sa është numri i përafërt i votave që do të mjaftonin për hyrjen tuaj në Parlament?
Dritan Sylejmani: Numri i përafërt i votave të nevojshme për të siguruar një vend në Parlamentin e Kantonit të Lucernit duhet të jetë rreth 3500.
Albinfo.ch: A mund të na thoni: Përse një votues shqiptar i Zvicrës duhet të zgjedhë pikërisht Dritan Sylejmanin? Çfarë u premtoni ju bashkatdhetarëve se do të bëni, si deputet në Parlamentin e Kantonit të Lucernit?
Dritan Sylejmani: Sepse unë me të kaluarën time si emigrant i njoh problemet me të cilat ballafaqohet kjo kategori e shoqërisë. Unë do të angazhohem për zgjidhjen e shumë problemeve administrative sa i përket të drejtës së tyre të punës dhe banimit, bashkimit familjar, e me këtë edhe rregullimin më të lehtë të lejeqëndrimit. Unë do të angazhohem që kjo shtresë shoqërore të paktën të fitojë të drejtën e pjesëmarrjes në votime komunale e me këtë edhe në vendimmarrjen në vendin ku ata jetojnë e punojnë.
Albinfo.ch: Po votuesve në përgjithësi, çfarë u ofroni? Cilat janë fushat ku ju e ndieni veten më kompetent, respektivisht në të cilat mendoni të angazhoheni më tepër si deputet i ardhshëm?
Dritan Sylejmani: Unë angazhohem për një jetë sociale, për çmime të përballueshme për qiramarrësit, për zvogëlimin e premive për sigurimet shëndetësore, duke i bërë ato të përballueshme për qytetarët, sidomos për ata me të ardhura më të vogla. Para pak kohësh SP-ja e Lucernit e fitoi procedurën gjyqësore kundër Qeverisë Kantonale të Lucernit, për zvogëlimin e mundësisë për të përfituar nga lirimi i premisë së sigurimeve shëndetësore për personat me të ardhura të vogla. Por, ne si parti do të vazhdojmë në përpjekjet tona edhe më tutje.
Albinfo.ch: Si qëndron partia juaj (SP) në konkurrencë me partitë rivale në garë? A ka rënie apo ka ngritje të preferencave në kanton për partinë për të cilën ju garoni?
Dritan Sylejmani: Para disa vjetësh, SP në kantonin e Lucernit e ka humbur një vend në Qeverinë Kantonale dhe tani i kemi gjasat shumë reale që këtë vend ta fitojmë sërish. Kjo do të thotë se preferencat e qytetarëve për të votuar SP-në janë më të mira kohëve të fundit, prandaj kam besimin se SP-ja do të arrijë të përmirësojë nivelin e përfaqësimit në të gjitha nivelet e pushtetit shtetëror kantonal të Lucernit.
Kush është Dritan Sylejmani
“Jam i lindur më 10 shkurt 1986 në Tiranë. Pos shkollës nëntëvjeçare, jam shkolluar në shkollë profesionale për punonjës në zyrë, për të vazhduar më vonë për specializim në lëmin e kontabilitetit. Kam mbaruar edhe disa kurse në lëmin e sigurimeve. Punën praktike e kam mbaruar në “Mirëdita Consulting” në Emmenbrücke, ku kam vazhduar të punoj në lëmin e sigurimeve, por edhe në atë të kontabilitetit. Në vitin 2009 kam krijuar zyrën time të shërbimeve të ndryshme, kontabilitet, përkthime, korrespondencë, këshillime, etj. Sot e drejtoj një firmë tjetër, “Conficienda AG”, me seli në Lucern”.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Mbrëmje kulturore kushtuar rrënjëve të qytetërimit tonë Kjo ngjarje e veçantë kulturore u kushtohej figurave madhore Shën Jeronimit dhe Shën Nënë Terezës, dy...
-
Rama nga Londra godet opozitën: Nxitën akte antishqiptare në tokë të huaj
-
Rama takohet me diasporën në Londër, pritet me protesta nga opozita
-
Edi Rama sot takon diasporën në Londër
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Pasditen e së dielës pritet të rikthehen në qarkullim trenat në Gjenevë Stacioni i trenit Cornavin në Gjenevë është i mbyllur deri të dielën në orën 15:00 për...
-
Për njëzet vjet, Google ka ndihmuar në transformimin e Cyrihut
-
Banorët e Cyrihut duhet të ndajnë 45 franga për dritat e Krishtlindjeve
-
Zvicër: Mbi 12,000 raportime për fyerje
-
Çfarë nisma të tjera votojnë kantonet dhe qytetet në Zvicër?