Integrimi

Nga Kosova, numri më i madh i azilkërkuesve

Nga 785 kërkesa të azilit, me 131 sish, të parët janë shtetasit e Kosovës. Në radhë vijnë shtetasit e Bosnjës (93), të Malit të Zi (80), të Shqipërisë (52) etj.

Pas një rënieje në muajin gusht, numri i kërkuesve të azilit në Luksemburg ka shënuar ngritje gjatë shtatorit. Nga 76 sa kishin qenë në gusht, janë bërë 119 kërkesa në muajin shtator. Ndërkaq, llogaritur për 9 muajt e deritashëm të vitit 2013 në këtë vend të vogël të Beneluksit azil kanë kërkuar gjithsej 785 persona.

Po u krahasua me periudhën e njëjtë të një viti më parë , kur ishin regjistruar 1700 kërkesa, ky numër është më pak e gjysma.

Sidoqoftë, në shifrën prej 785 kërkesave të azilit, me 131 sish të parët janë shtetasit e Kosovës. Në përgjithësi prijnë shtetasit e vendeve ballkanike, shkruan tagblat.lu. Kështu, në radhë pas kosovarëve janë shtetasit e Bosnjës  (93), të Malit të Zi (80), të Shqipërisë (52) dhe të Serbisë (36).  

Shifrat nga vendet tjera, përfshirë edhe ato të përfshira nga lufta ose nga krizat, si Siria, Iraku etj, sillen në mes 48 (Siria), 27 (Iraku), 26 (Algjeria) etj.

Nga 1062 kërkesat e trajtuara deri më tash në Luksemburg, statusin e refugjatit e kanë fituar 101 persona.