Integrimi

Albinfo.ch në vendgrumbullimin e kombëtares zvicerane

Pesë nga gjashtë lojtarët shqiptarë që trajneri Hitzfeld i ka angazhuar kësaj here (Xhemaili do të vinte më vonë) u pritën me interesim dyfish më të madh për shkak të ndjeshmërisë së ndeshjes që i pret të premten, kundër Shqipërisë

Në Feussisberg  të Kantonit Schwyz, në një prani të madhe medieve ka filluar sot grumbullimi i lojtarëve të kombëtares zvicerane të futbollit. Këtu ajo do t`i zhvillojë përgatitjet për ndeshjen e të premtes kundër Shqipërisë.

Veçanërisht e ngarkuar me emocione ishte ardhja këtu e lojtarëve shqiptaro-zviceranë që luajnë për përfaqësuesen e Zvicrës. Parakalimi i tyre para hotelit Panorama, që do të jetë selia e tyre gjatë këtyre ditëve, ishte rast për gazetarët e shumtë të pranishëm që të merrnin intervista dhe fotografi të tyre.

Albinfo.ch ishte aty dhe regjistroi me pamje dhe me tekst momente nga ky takim.

Pesë nga gjashtë lojtarët në fjalë, që trajneri Hitzfeld i ka angazhuar kësaj here (Xhemaili do të vinte më vonë) u pritën me interesim dyfish më të madh për shkak të ndjeshmërisë së ndeshjes që i pret. Pikërisht kjo ndjeshmëri dhe ngarkesat që kanë lojtarët tanë ka qenë arsyeja përse, sipas krerëve të Federatës Zvicerane të Futbollit, është marrë vendim që Xhaka me kompani (lojtarët shqiptarë) të mos japin intervista.

Përjashtim bënte Pajtim Kasami, i cili është bërë në mënyrë të papritur pjesë e ekipit, mbrëmjen e të dielës.

Vetë marrëveshja që të mos japin intervista pak ditë para ndeshjes pikërisht lojtarët më të popullarizuar të Zvicrës, siç janë aktualisht së paku Shaqiri, Behrami e Xhaka, e bënte më të zbehtë këtë grumbullim. Por, sidoqoftë, ata mund të fotografoheshin… Dhe kjo mundësi u shfrytëzua me të madhe.

Kështu, ardhja e Granit Xhakës, të cilin në Feussisberg e solli babai i tij, Ragipil, u ndoq me vëmendje të madhe nga shpura e gazetarëve. Shaqiri dhe Mehmedi, si miq të vjetër që janë, erdhën së bashku me një makinë dhe u vërshuan nga shkreptimat e bliceve të aparateve të gazetarëve të pranishëm. Njësoj u prit edhe Valon Behrami dhe pastaj edhe Pajtim Kasami, i cili erdhi i fundit, pasi kishte udhëtuar nga Anglia, së bashku me Senderos-in.

Vetëm Kasami  nga shqiptarët ishte në dispozicion për të dhënë intervista. Ai iu përgjigj interesimit të gazetarëve në katër gjuhë: gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe së fundi edhe në gjuhën shqipe, për gazetarin e albinfo.ch.

Pyetjes se si ndjehej dhe a kishte presion para një ndeshjeje si kjo kundër Shqipërisë ai i iu përgjigj: “Sigurisht që është një ndeshje jo e zakonshme. Kam shumë presione. Unë edhe në Londër jam vërshuar nga pyetjet dhe sugjerimet e disa bashkatdhetarëve përse nuk luaj për Shqipërinë. Por unë u kam thënë dhe u them: unë luaj për Zvicrën pasi që këtu jam rritur dhe ajo ka bërë shumë për mua, për ne, shqiptarët. Por kjo nuk më pengon që ta ndjej veten shqiptar. Këtu, në kombëtaren e Zvicrës kam dhe mjaft shokë tjerë shqiptarë:  Valonin, Blerimin, Xherdanin etj.  Pyetjes së albinfos se si ndjehet që 6 shqiptarë, rreth një e treta e skuadrës zvicerane  përbehet nga shqiptarët, ai i përgjigjet se ndjehet mirë, por ky është në radhë të parë futboll dhe si i tillë duhet kuptuar”.

Pajtimi iu përgjigj edhe pyetjes se si ndodhi që të mos ftohej kaq gjatë deri më tash nga kombëtarja dhe është ftuar pikërisht për ndeshjen kundër Shqipërisë. “Ky është përcaktim i trajnerit, i cili e gjykon situatën në skuadër sipas kritereve të tij, ndërsa mua si lojtar profesionist më mbetet vetëm që t`i përgjigjem pozitivisht ftesës”, u shpreh Kasami.

Mungesa e intervistave të lojtarëve shqiptaro-zviceranë në një mënyrë u kompensua me pyetjet që iu bënë bashkëlojtarëve të tyre të tjerë: shumica u pyetën lidhur me situatën specifike të kolegëve të tyre me prejardhje nga Kosova dhe nga Maqedonia.

Kështu, kapiteni i skuadrës, Inler, i pyetur nga albinfo.ch se si e gjykonte presionin në të cilin ndodhen bashkëlojarët e tij shqiptarë tha se e njeh këtë ndjenjë nga përvoja personale. “Edhe unë kam përjetuar diç të tillë, në ndeshjen që kam luajtur për kombëtaren e Zvicrës kundër Turqisë. Sigurisht nuk është e lehtë por ne jemi profesionistë dhe përcaktimi që të luajmë për Zvicrën duhet të akceptohet si diçka e kuptueshme. I kam shokë të gjithë lojtarët shqiptarë të Zvicrës dhe e kuptoj situatën e tyre”, përfundon Inler.

Të gjithë futbollistët pa përjashtim, të pyetur nga gazetarët e grumbulluar shprehën besim të plotë se kombëtarja e Zvicrës do të fitonte. “E qartë, presioni që bën terreni dhe ambienti vendës për Shqipërinë ndihmon kombëtaren vendëse por ne e kemi dëshmuar e rezultatet e deritashme se jemi skuadër më e konsoliduar dhe më e mirë se ajo e Shqipërisë”, thotë për shembull Inler.