Integrimi

Kosovari akuzohet për tregti me 47.5 kilogramë heroinë

Padia e ngarkon atë se në periudhën nga viti 2006 deri në vitin 2010 kishte tregtuar gjithsej 47.5 kg heroinë dhe rreth 62.5 kg materie përpunuese

Prokuroria e Përgjithshme e Solothurnit ka ngritur padinë kundër një kosovari 45 vjeçar për shkelje të shumëfishtë të ligjit mbi lëndët narkotike. Ai konkretisht akuzohet për tregti me heroinë, të kryer në regjionin e Oltenit. 

Policia dhe prokurori, pas hetimeve që kishin zgjatur disa muaj kishin arrestuar më 8 tetor të vitit 2010 kosovarin në banesën e tij në Olten. Në banesën ku ai banonte dhe në një tjetër që e mbante me qira, ishin gjetur dhe konfiskuar 11 kilogramë heroinë dhe rreth 5.5 kg materie për përpunimin (hollimin) e saj.

Veç këtyre, te ai ishin gjetur edhe një pistoletë dhe rreth 100 mijë franga para të gatshme.

Që nga tetori i vitit 2010 i akuzuari ndodhet në burg.

Vetëm tash, pas tri vitesh, organet hetuese kanë mundur t`i përfundojnë hetimet dhe kanë ngritur padinë. Ajo e  ngarkon kosovarin se në periudhën nga viti 2006 deri në vitin 2010 kishte tregtuar gjithsej 47.5 kg heroinë dhe rreth 62.5 kg materie përpunuese.

Shumica e drogës, me organizimin e tij, u ishte shpërndarë nga dy korrierë, konsumuesve të drogës në Zvicrën perëndimore, shkruan solothurnerzeitung.ch. Dy korrierët ndërkohë kanë marrë dënimet me 5 vjet gjegjësisht 37 muaj burg.

Veç për shkejen e shumëfishtë të Ligjit mbi materiet narkotike, kosovari akuzohet edhe për shkeljen e ligjit federal mbi të huajt  dhe për armëmbajtje pa leje.

Data e hapjes së procesit gjyqësor ende nuk është caktuar.