Integrimi

Austri: SHMSH festoi Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Shoqata e Mësuesve Shqiptarë „Naim Frashëri“ në Austri në bashkorganizim me Ministrinë e Diasporës të Republikës së Kosovës, më 24.02.2019, për nder të 17 Shkurtit- Ditës së Pavarësisë së Kosovës, në Radsdt (Salzburg), organizoi një festë solemne me poezi, këngë, monolog, pjesë teatrale e valle burimore shqipe

Nga mysafirët zyrtarë ishte përfaqësuesi i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Wien, konsulli, z.Isa Kosumi.

Në Radstadt, në qytezën e vogël turistike, e njohur kryesisht për sporte të bardha, sot ishte kthyer e tera në festë, ku sikur asnjëherë më parë, recitohej, këndohej e vallëzohej vetëm në gjuhën shqipe. Në këtë qytezë të vogël, me një numër të konsideruar me familje shqiptare, jorastesisht e organizuar nga Shoqata e Mësuesve Shqiptarë në Austri (për ndërgjegjësimin dhe vetëdijesimin e prindërve shqiptarë të atij lokaliteti për t‘i dërguar fëmijët e tyre në numër sa më të madh në shkollën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe), nxënës, mësues, shoqata shqiptare e bashkatdhetarë, ishin nisur dhe drejtuar nga i tërë shteti i Austrisë, për të festuar 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në një ambient madhështor, në sallën e bukur të qytezë, që tani ishte shndërruar e tëra me pamje solemne, e përgatitur nga mësuesja nikoqire, z.Qefsere Bislimi dhe stafi mësuesve, me flamuj e plakata, ishte mbushur përplot me nxënës, mësues, prindër e bashkatdhetarë.

Si zakonisht, programi festiv, renditja, sistemimi ishte i planifikuar dhe i përgatitur mirë nga mësuesit.

Detyra për ta moderuar këtë program festiv iu besua mësuesit me përvojë, z.Osman Ademi.

Fillimisht, tubimin e përshëndeti konsulli i Republikës së Kosovës, Isa Kosumi Ai i falënderoi të gjithë akterët e përfshirë qe kanë kontribuar në organizmin e këtij  evenimenti të rëndësishëm kushtuar 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Kosova, vazhdoi ai diskutimin, ka arritur të çlirohet në saje të luftës së drejtë të UÇK , Amerikës dhe të aleatëve tjerë nga Bashkimi Evropian. Kosova tani është e lirë dhe do të vazhdojë sigurt rrugëtimin e saj ashtu sikur synon  vepron çdo shtet tjetër.

Pas këtij doli kryetarja SHMSH në Austri z.Miradije Berisha. Ajo i përshëndeti të pranishmit, ku në mes tjerash, foli për rëndësinë e shkollës shqipe dhe apeloj te prindërit shqiptarë të qytezës dhe rrethinës së tij që të mos hezitojnë dhe t‘i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën e mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Të mos harrojmë, potencoi ajo, se fëmijët tanë janë ardhmëria dhe pjesa më e ndritur e kombit tonë.

Dhe në fund tubimin e përshëndeti nikoqirja e këtij organizimi mësuesja, Qefsere Bislimi, e cila, njëkohësisht i falënderoi dhe u shprehu mirënjohje të gjithë bashkatdhetarëve, e në veçanti nënat që e ndihmuan dhe e përkrahën në organizimin e kësaj feste me ushqime nga kuzhina jonë tradicionale shqiptare.

Të gjitha pikat e programit ishin të bukura dhe shumë interesante të cilat vazhdimisht gjatê gjithë kohës zgjuan kureshtjen dhe u brohoritën sistematikisht nga të pranishmit. U recituan shumë poezi(15), u kënduan shumë këngë (7),dy pjesë teatrale, një monolog dhe po ashtu shumë valle popullore(9).

Nxënësit u takonin përafërsisht të gjitha moshave dhe shihej qartë entuziazmi dhe përkushtimi i tyre i madh që të japin mundësish më të mirën të mundshme nga ana e tyre. Ata treguan aftësi dhe talente në shumë fusha, që fitohej përshtypja se me pak punë ata mund të arrinin majat e artit teatral dhe muzikor. Fal përkushtimit dhe dashurisë që festa të dukej sa më dinjitoze, festa zgjati përafërsisht katër orë.

Nga gjithë ajo që u pa dhe u tregua vërehej qartë se Shoqata e Mësuesve Shqiptarë ka dëshmuar në vepër se, përveç punës që e bëjnë në përditshmëri në organizimin dhe në zhvillimin normal të mësimit plotësues në gjuhën shqipe,kjo ka qenë mjaft e angazhuar në planifikimin dhe në realizimin e shume projekteve që në një mënyrë a tjetër e kultivojnë dhe e forcojnë ideologjinë̇ në ruajtjen dhe në mbrojtjen e identitetit kulturor e kombëtar.

SHMSH falënderon dhe u është mirënjohëse individëve që me gatishmërinë dhe vetëmohimin e tyre kontribuuan në mbarëvajtjen e këtij manifestim:

Dr.Idriz Smajli – në incizimin e programit festiv me kamerë

BSc.Besian Sinani dhe mësuesin Ibrahim Hasanaj për punët teknike dhe ndihmën që dhanë në mbarëvajtjen e këtij programi.

Mësuesen nikoqire dhe prindërit(nënat) që ndihmuan në përgatitjen e ushqimeve tradicionale nga kuzhina shqiptare.

Moderatorin e këtij eventi festiv, mësuesin me përvojë, Osman Ademi dhe në veçanti Ministrinë e Diasporës të Republikës së Kosovës që në fakt ishte edhe sponzoruesi kryesor këtij eventi.