Futbolli Shqiptar në Zvicër

FC Eagles Aarau barazon me skuadrën e Superligës së Kosovës

Skuadra shqiptare FC Eagles nga Aarau po qëndron në Kosovë, ku do të ketë edhe disa ndeshje miqësore, apo më mirë të thuhet vëllazërore.

Ndeshja e parë ishte me skuadrën e Ballkanit, që garon në Superligën e Kosovës në futboll, shkruan albinfo.ch.

“Përfundoi ndeshja miqësore në mes të FC Ballkani dhe FC Eagles Aarau me rezultat 2:2.

Golat për ne u shënuan nga Endrit Asllanaj dhe Edi Maksutaj ndërsa për mysafirët Arjan Gashi dhe Dardan Gashi”, thuhet në njoftimin e Ballkanit.

Gjithsesi për skuadrën shqiptare të Zvicrës ishte një pritje e ngrohtë, me vallë e këngë shqiptare, ku rezultati ishte në plan të dytë.

Programi gjatë ditëve në vijim:

Gjatë ditës së premte, më 1 mars, skuadra e mërgimtarëve tanë nga ora 14:30, do të zhvillojë stërvitje në stadiumin e qytetit në Shtime.

Të shtunë, më 2 mars nga ora 12:00 do të zhvillohet lojë miqësore në mes të klubit nikoqir KF”Vjosa” nga Shtimja dhe FC “Eagles” nga Aarau.

Nga ora 14:30 do të zhvillohet lojë tjetër miqësore në mes të KF “Ferizaj” dhe FC “Eagles”.

Ndërsa, duke filluar nga ora 16:00 do të bëhet dorëzimi i një donacioni nga Klubi zviceran për Klubin Shtimjan. Me një ceremoni ku prezent do të jenë kryetari i Komunës dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, ku shënon fundin e këtij kampi stërvitor nga FC “Eagles”.