Ekonomi
Euro, sukses apo dështim?
Sot, pas 20 vitesh, euro përdoret nga 340 milionë evropianë dhe është një nga valutat më të rëndësishme në botë. Unioni Monetar është vënë në provë që prej krijimit, me krizën financiare globale dhe krizën e borxhit
Janari shënoi 20-vjetorin e krijimit të euros, por së fundmi janë shtuar dyshimet për efektin pozitiv që ka pasur për rajonin apo nëse do të mbijetojë për 20 vite të tjera.
Unioni Ekonomik dhe Monetar ka qenë prej kohësh një ambicie e politikanëve pro-integrimit të Evropës dhe është parë si një progres natyror i idealeve të BE-së për një union gjithnjë e më të madh.
Për rrjedhojë, “lindi” euro në janar të 1999-ës, një eksperiment unik, nën të cilin vendet e Evropës do të braktisnin valutat kombëtare, do të adaptonin një valutë të vetme dhe do të hiqnin dorë nga kontrolli i politikave monetare ndaj një institucioni të ri që kalonte fuqitë kombëtare, Banka Qendrore Evropiane.
Ky institucion u themelua një vit më vonë, për të administruar politikat monetare për Eurozonën dhe ka pasur përgjegjësinë kryesore të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, me normën e inflacionit pranë, por poshtë 2%. Në të njëjtën kohë, vendet anëtare mbajtën kontrollin e politikave fiskale, pavarësisht rregullave në Bashkimin Evropian. Në zanafillë, euro u adaptua nga 11 vende anëtare duke u ndjekur më vonë nga Greqia, Sllovenia, Qipro, Malta, Sllovakia, e më pas nga shtetet Balltike si Estonia, Letonia dhe Lituania. Banknotat euro me kurs ligjor u prezantuan në vitin 2002, transmeton ‘Scan’.
Sot, pas 20 vitesh, euro përdoret nga 340 milionë evropianë dhe është një nga valutat më të rëndësishme në botë. Unioni Monetar është vënë në provë që prej krijimit, me krizën financiare globale dhe krizën e borxhit, përcjell albinfo.ch.
Një projekt i “çmendur”
Sipas analistëve, është shumë vonë për t’u kthyer prapa. “Ky projekt i çmendur i një valute që kalon kufijtë kombëtarë, me ekonomi që janë tejet të ndryshme, ka zgjatur për 29 vite dhe i ka afruar këto ekonomi së bashku”, tha Constantine Fraser, analist i TS Lombard për CNBC.
Sipas tij, ndikimi më i madh i euros në rajon është rritja gjigante e kostove të daljes nga projekti. Alternativa e vetme ndaj daljes është integrimi i mëtejshëm. Përfitimi i euros u bë shpejt i dukshëm në vitet e hershme, me avantazhet kryesore që ishin heqja e kostove të transaksionit, rritja e transparencës në çmime dhe thjeshtimi e stabilizimi i tregtisë dhe investimeve përtej kufijve.
Megjithatë, euro ka pasur edhe disavantazhe, ndërkohë që kritikët thonë se qasja ndaj “një politikë për të gjithë” nuk është e përshtatshme për një rajon që ka ekonomi tejet të ndryshme. Humbja e politikave monetare të pavarura nënkupton gjithashtu se vendet anëtare nuk mund të zhvlerësojnë valutat, në mënyrë që të rifitojnë konkurrueshmëri.
Ky ka qenë një problem i madh për vende si Greqia. Rregullat për deficitet buxhetore, që limitojnë shumën që një vend mund të marrë hua, kanë sjellë gjithashtu kritika se është më e vështirë për këto vende të rimëkëmbin ekonomitë. Kostoja e daljes nga valuta e përbashkët do të ishte e lartë, megjithatë, recesionet dhe krizat e pësuara nga disa vende kanë shtuar nostalgjinë për valutat kombëtare dhe për humbjen e pavarësisë ekonomike, si në rastin e Greqisë.
Një union valute i papërfunduar
Ekonomistët argumentojnë se shumë probleme që euro ka pësuar, nuk kanë qenë parashikuar nga krijuesit e valutës. Unioni monetar solli gjithashtu sfida që ekonomitë evropiane nuk kishin parë ndonjëherë. Sipas ekonomistit të UBS, Felix Huefner, ndërkohë që kursi i këmbimit u fiksua në vitin 1999, çdo rregullim në konkurrueshmëri duhej të bëhej në mënyrë kombëtare, nëpërmjet kufizimit të pagave dhe reformave strukturore. “Një mësim i nxjerrë nga 20 vitet e fundit është se kjo ka rezultuar shumë më e vështirë se sa mendohej.
Përplasjet e fundit në Francë kundër reformave strukturore përbëjnë një shembull”, tha ai. Ndërkohë që reformat strukturore janë kthyer në një debat të vjetër në Eurozonën e viteve të fundit, sfida e parë e madhe ishte kriza financiare botërore në vitin 2008 dhe kriza e borxhit sovran që pasoi në Greqi, Irlandë, Portugali, Spanjë dhe Qipro. Italia u gjend gjithashtu në vështirësi, por nuk kërkoi ndihmë financiare pavarësisht se përbën ende një rrezik për rajonin.
Ndërkohë që shumë ekonomi të mëdha në Eurozonë përballeshin me rrezikun e kolapsit, i takoi Bankës Qendrore Europiane, Komisionit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, që njihen së bashku me emrin “Troika”, që të shpëtonin projektin e euros duke i dhënë paketa shpëtimi vendeve anëtare, në mënyrë që “sëmundja” të mos përhapej në të gjithë unionin. Sipas analistëve, roli i Bankës Qendrore Europiane u evolua në dekadën e parë të ekzistencës. Në dekadën e parë, institucioni arriti objektivin e inflacionit, por poshtë sipërfaqes tensionet po shtoheshin në formën e disbalancave të mëdha mes vendeve anëtare, nxitur nga niveli i madh i borxhit në Spanjë, Portugali, Greqi dhe Irlandë.
Për dekadën e dytë, nga viti 2009-2018, Banka Qendrore Europiane është marrë me pasojat makroekonomike të zhdukjes së disbalancave që ishin ndërtuar në dekadën e parë.
Kriza ekzistenciale e euros
Kriza e borxheve sovrane tregoi se Eurozona u themelua pa planifikim të përshtatshëm për institucionet që një valutë kërkon, gjë që solli një krizë të ekzistencës për valutën mes viteve 2010-2015. Sipas Constantine Fraser, dështimi i euros lidhet me unionin e papërfunduar të valutës.
“Është krijuar vetëm me disa institucione që një valutë kërkon. Kjo, shtuar gabimet politike të vendeve anëtare si qasja tejet agresive ndaj reduktimit të deficitit dhe rritja gabimisht e normave të interesit nga Banka Qendrore Europiane në vitin 2011, shkaktoi një depresion të madh në rajon”, tha ai. Ndërkohë që interesat e borxhit u rritën frikshëm, angazhimi i Europës ndaj projektit euro u bë më i dukshëm se kurrë në Korrik të vitit 2012, kur presidenti i BQE, Mario Draghi, dha fjalimin e famshëm se do të “bëjë gjithçka është e mundur për të shpëtuar euron”.
Një javë më vonë, institucioni në Frankfurt lajmëroi një program që do të blinte titujt e borxhit të vendeve me probleme të Eurozonës. Megjithatë, integriteti i Eurozonës u kërcënua përsëri në vitin 2015, kur Greqia i’u afrua daljes nga unioni në kulmin e krizës.
Populli grek refuzoi pranimin e një pakete tjetër të ndihmave financiare nga “Troika” nëpërmjet një referndumi, por ndërkohë që kostot e daljes nga Eurozona u bënë të dukshme, qeveria u tërhoq dhe nënshkroi paketën e tretë të shpëtimit.
Masa të jashtëzakonshme
Në fund të vitit 2014, Banka Qendrore Evropiane nisi disa programe të blerjes së obligacioneve që u kthye në lehtësimin sasior (QE) dhe përfundoi në Dhjetor të vitit 2018. Qëllimi i lehtësimit sasior ishte rritja e ofertës së parasë në Eurozonë, huadhënies bankare dhe shpenzimeve konsumatore.
Në fund të programit, Banka Qendrore Evropiane kishte akumuluar mbi 2 trilionë euro aktive. Ndërkohë që lehtësimi sasior ndihmoi rajonin që të rimëkëmbet nga kriza, trazirat ekonomike të rajonit treguan se duheshin më shumë reforma institucionale dhe integrim të mëtejshëm, në mënyrë që të parandalohej një krizë e ardhshme financiare.
Për të ndryshuar mënyrën se si paketat ndërkombëtare të shpëtimit do të trajtoheshin, u krijua Mekanizmi Evropian i Stabilitetit, për të trajtuar huadhënien drejt vendeve me vështirësi financiare. Kjo u përdor në vitet 2012 dhe 2013 për programet e rikapitalizimit të bankave për Spanjën dhe Qipron.
Në mënyrë që të parandaloheshin kriza të ardhshme financiare, u krijua Mekanizmi i Mbikëqyrjes së Përbashkët në vitin 2012, në mënyrë që bankat evropiane të ishin subjekt i më shumë mbikëqyrjeve dhe rregullave të BQE. Përveç kësaj, ekziston një shtyllë e dytë e unionit bankar, që është Mekanizmi i Rezolutës së Përbashkët. Kjo përmban një fond të financuar nga kontributet e sektorit bankar, me synim që të ndihmojë bankat e rajonit nga dështimi dhe të mbështeste të gjithë sistemin financiar.
Procesi nuk ka mbaruar ende
Megjithatë, pas krijimit të një unioni bankar me mbikëqyrje të përbashkët dhe një fond të rezolutës, mungonte një skemë evropiane e sigurimit të depozitave. Shumë analistë argumentojnë se Eurozona duhet të kthehet në një union fiskal dhe monetar, në mënyrë që të shpëtojë.
Ata që favorizojnë unionin fiskal argumentojnë se do të promovonte më shumë stabilitet dhe barazi në rajon. Kritikët thonë se kjo do të cenonte sovranitetin dhe do të hiqte aftësinë e qeverive për të arritur nivele specifikë të shpenzimeve dhe huamarrjes.
Ndërkohë që unioni fiskal shihet si një hap i logjikshëm për lidhje më të ngushta ekonomike e politike dhe promovohet nga persona si presidenti francez, Emmanuel Macron, disa vende e kundërshtojnë. Gjermania nuk kërkon të shohë një rajon që ndan borxhin. Bashkimi i borxhit nëpërmjet obligacioneve në nivel të Eurozonës, mund të ulë kostot e huamarrjes për vende të dobëta si Greqia, por është irrituese për Gjermaninë, që ka kosto të ulëta të huamarrjes dhe që shqetësohet se do të mbajë përgjegjësi për fqinjët problematikë.
Sigurimi i mbijetesës së euros
Pas një periudhe të gjatë të politikave lehtësuese monetare, Banka Qendrore Evropiane po ndjek tashmë një politikë të normalizmit, që do të kthejë mjete normale në qendër të politikave siç janë normat e interesit. Pavarësisht programit gjigant të blerjes së aktiveve në vitet e kaluara, inflacioni në Eurozonë qëndron ende i ulët dhe kjo përbën një shqetësim për bankën qendrore.
Perspektiva për ekonominë e Eurozonës në 2019 nuk është e mirë, ndërkohë që ka gjasa të hyjë në një periudhë të stanjacionit, pasi Franca, Italia, Gjermania dhe Spanja kanë publikuar të dhëna zhgënjyese të rritjes. Pas një dekade të rimëkëmbjes nga kriza financiare, destabiliteti politik përbën tashmë një kërcënim më të madh dhe më të paparashikueshëm për Eurozonën. Analistët thonë se sfida e Bankës Qendrore Evropiane në dekadën e tretë do të jetë sigurimi i mbijetesës së unionit monetar, jo për shkak të stresit në tregjet financiare, por përballë presioneve të mëdha populiste.
Italia përbën shembullin kryesor të sfidës populiste. Koalicioni i partisë së djathtë Liga dhe Lëvizja 5 Yjet, formuan qeverinë në qershorin e vitit të kaluar dhe nuk kanë humbur kohë me premtimet sfiduese për Eurozonën, si plani i shpenzimeve. Sipas analistëve, Italia, që është ekonomia e tretë më e madhe në Eurozonë, përbën rrezikun kryesor ndaj bllokut.
“Problemi më i madh për Eurozonën është Italia. Vendi ka një ekonomi të dobët që nuk mund të rritet, ka konkurrencë më të ulët se Kina dhe popullsi në plakje. Nëse do të kishte valutën e vet, do ta zhvlerësonte për të shtuar konkurrencën, por këtë gjë nuk mund ta bëjë në euro”, tha Constantine Fraser.
Të ngjashme
Të tjera nga Ekonomi
E-Diaspora
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok” Almira tregon se aktualisht ka mbi 800 mijë ndjekës dhe përveç se është një tik-tok-ere e...
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
Gjermani: 14-vjeçari shqiptar kishte pësuar djegie në 80% të trupit, zgjohet nga koma pas 5 muajsh
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë Mërgimtarët pasi u “rehatuan” në aeroplan u desht të presin 5 orë, në fund u dha...
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025