Integrimi

Rënie drastike e numrit të azilkërkuesve nga Kosova

Vetëm 10 shtetas kosovarë e kanë "provuar fatin" gjatë muajit të kaluar në Luksemburg. Një muaj më parë këtë e kishin bërë 35!

Gjatë muajit gusht ka rënë në mënyrë të ndjeshme numri i azilkërkuesve në Luksemburg. Nga 106 sa kanë qenë në korrik, gjatë gushtit azil në këtë vend kanë kërkuar vetëm 76 persona.

Por edhe më drastike ka qenë rënia e numrit të azilkërkuesve nga Kosova. Vetëm 10 shtetas kosovarë e kanë “provuar fatin” gjatë muajit të kaluar në Luksemburg. Vetëm një muaj më parë ishin 35, dhe zinin vendin e parë në listën e kërkuesve të azilit në vendin e vogël të Beneluksit, shkruan wort.lu.de.

Por rritje të numrit kanë shënuar gjatë gushtit azilkërkuesit nga Bosnjë e Hercegovina, nga 2 në korrik, në 11 në gusht.

Në numrin e përgjithshëm prej 76 kërkuesve, më së shumi ka nga Evropa, 52, nga Afrika janë 18 dhe nga Azia gjithsej 6.

Në gjashtë raste kërkuesve u është njohur statusi i refugjatit, në 51 raste ky status u është refuzuar.

Nga fillimi i vitit deri më tash në Luksemburg kanë kërkuar azil 660 veta.