Integrimi

Gjon Muharremaj po mahnit Francën me zërin e tij

Gjoni ka lindur në Zvicër, por babai i tij është nga Kosova, ndërsa nëna nga Tirana

Gjon Muharremaj filloi karrierën e tij në spektaklin ‘Albania’s Got Talent’. Edhe pse vetëm një fëmijë, ia doli të fitojë menjëherë zemrën e jurisë me këngën e njohur franceze, ‘Je t’aime’.

Sot, pas 8 vitesh, ai konkurron në ‘The Voice of France’. Gjoni ka lindur në Zvicër, por babai i tij është nga Kosova, ndërsa nëna nga Tirana.

Ai gjithashtu ka publikuar një këngë të re me titullin ‘Babi’, e cila është renditur në vendin e parë në ‘Top List’, duke lënë pas këngëtarë shqiptarë si Mozzik, Gjiko, Ledri Vula etj.

Gjatë një interviste për ‘Top Awards’, ai ka shpjeguar se nga është frymëzuar për emrin e tij artistik, ‘Gjon’s Tears’, transmeton ‘revistawho.com’.

“Më ka lindur ideja nga gjyshi im, kur ka ardhur nga Kanadaja në Zvicër për të më dëgjuar duke kënduar. Një ditë, po i bija një pianoje elektrike duke luajtur këngën ‘Can’t help falling in love’ të Elvis Presley-t dhe teksa performoja për herë të parë për të, pashë lot në sytë e tij. U ndieva si një superhero. Mu duk shumë e fortë ajo çfarë ndodhi dhe kështu vendosa të mbaj këtë emër pasi është një episod i jetës sime që më ka prekur shumë”, është shprehur këngëtari, përcjell albinfo.ch.

Ai gjithashtu ka treguar disa detaje në lidhje me këngën e tij të re, e cila flet për dashurinë e një djali ndaj babait të tij të alkoolizuar.

Historia nuk është personale, por trajton një temë aktuale dhe serioze, siç është alkooli dhe familjen.