Integrimi

Çfarë po ndodh me Belle Airin?

Darwin Online ka një leje deri më 26 tetor 2013 për fluturimet Cyrih-Prishtinë, me aeroplanët e Belle Air. Edhe dy javë ka kohë për të bërë kërkesën, a do ta vazhdojë atë, nuk dihet

Kompania ajrore “Belle Air” gjatë muajve të fundit ka zënë vend vazhdimisht në kryetitujt e gazetave që botohen në Prishtinë. Kanë qenë të shumta rastet kur pasagjerët, me biletat në xhep kanë mbetur pa fluturuar. Një numër prej tyre, që kanë pasur probleme kryesisht në Prishtinë por edhe në  Cyrih, kanë drejtuar ankesa drejt kësaj kompanie.

Së fundi, shqetësime ka ngjallur një reagim në Facebook i dikujt që është paraqitur ne emrin e Belle Airit. Ai ka kërcënuar një gazetare të një gazete kosovare që kishte shkruar një artikull kritik ndaj kompanisë.

Edhe pas kësaj, të dielën, sërish u raportua për një dështim të radhës që lidhet me kompaninë në fjalë: qindra udhëtarëve që kishin rezervuar biletat për të fluturuar nga Prishtina drejt Milanos, u është shtyrë fluturimi për së paku 9 orë…

Çfarë po ndodh me Belle Airin? Dhe a është e vërtetë se, për shkak të parregullsive të përsëritura, i është ndërprerë kontrata me Darwin Airline, siç ka shkruar ditë më parë një gazetë kosovare?

Albinfo.ch, duke dashur të dijë të vërtetën rreth kësaj, ka pyetur në Zyrën Federale për Aviacion Ajror (Bazl) të Zvicrës, në kompaninë Darwin Airline (si bartëse e fluturimeve me aeroplanë të belleAir-it në relacionin Cyrih-Prishtinë-Cyrih), në Aeroportin e Cyrihut, dhe në vetë kompaninë Belle Air.

Edhe dy javë kohë për të bërë kërkesën për orarin dimëror të fluturimeve

I lutur që ta komentojë lajmin e medieve nga Prishtina për ndalimin e fluturimeve të Belle Airit nga Cyrihu për në Prishtinë, udhëheqësi i shërbimit për komunikim në Zyrën Federale për Aviacion Ajror, Urs Holderegger thotë se nuk mundet ta vërtetojë një lajm të tillë.

Por, “Darwin Online disponon me një leje të vlefshme deri më 26 tetor 2013, që të udhëheqë  fluturimet në linjën Cyrih-Prishtinë, me aeroplanët e marrë me qira nga Belle Air Europe. Ndërsa, deri në momentin e pikërishëm nuk ka ardhur ende ndonjë kërkesë e re për të përtëritur kontratën për planin e fluturimeve të  sezonit dimëror”, thotë Holderegger për albinfo.ch. 

Pyetjes sonë se kur përfundon afati për një kërkesë të tillë, ai i përgjigjet: “Në parim, kërkesa duhet të ketë ardhur te ne 30 ditë para fillimit të orarit dimëror të fluturimeve. Në këtë kuptim, Darwin Airline ka pothuaj edhe dy jave kohë për ta bërë këtë”.

Darwin Airlines nuk di a do të ketë fluturime në sezonin dimëror, Belle Air nuk përgjigjet!

Ndërkaq Darwin Airways  është shumë e kursyer në dhënien e informatave që do të hidhnin dritë mbi çështjen që është bërë objekt i debateve, jo vetëm në mesin e mërgimtarëve kosovarë në Zvicër. 

Një zyrtare e kësaj kompanie (Elizabetta del Frate) na është përgjigjur me shkrim, sa vijon:  “Aktualisht Darwin Airline ka në funksion vetëm programin veror për fluturimet në drejtim të Prishtinës dhe nga Prishtina. Ky program vazhdon deri më 26 tetor 2013. Lidhur me programin dimëror ne nuk e dimë ende përgjigjen”. Këtu përfundon informata e partnerit të Belle Airit, Darwin Airline.

Në Aeroportin e Cyrihut, aty ku janë zhvilluar edhe disa nga “dramat” e pritjes ose të anulimeve të fluturimeve të pasagjerëve që do të udhëtonin për në Kosovë, nuk ndjehen përgjegjës për këto. Zëdhënësi i këtij aeroporti, Michael Stief vetëm e ka udhëzuar albinfo. ch që lidhur me vazhdimin ose jo të kontratës së Belle Airit për të operuar në relacionin Cyrih-Prishtnë, t`i drejtohet Zyrës për Fluturime Civile.

Nga ana tjetër, nga Belle Air nuk vjen asnjë përgjigje. Në numrat e telefonave të publikuar në portalin e kompanisë, përgjigjen vetëm për bileta. Ndërsa në dy nga adresat elektronike që po ashtu figurojnë aty, në adresën e Milanos dhe në atë të Prishtinës, albinfo.ch ka kërkuar me shkrim nga Belle Air që edhe ajo të japë qëndrimin e saj lidhur me problemin. Rreth 24 orë pas shkresave, në adresën tonë nuk ka ardhur asnjë përgjigje.