Integrimi

Dhunon qindra herë të bijën, 4 vjet e 10 muaj burg për kosovarin

Dhunën seksuale ndaj të bijës ai e kishte filluar kur ajo ishte vetëm 9 vjeçe dhe e kishte ndërprerë në moshën 14 vjeçare, kur e kishte denoncuar bashkëshortja

Ka dhunuar me qindra herë të bijën e mitur ndërsa Gjykata e landit në Landshut e ka dënuar me vetëm 4 vjet e dhjetë muaj burg kosovarin 55 vjeçar. Babai i pashpirt ka pranuar pjesërisht para trupit gjykues krimin të cilin e ka kryer gjatë gjashtë viteve të fundit. Dhunën seksuale ndaj të bijës ai e kishte filluar kur ajo ishte vetëm 9 vjeçe dhe e kishte ndërprerë vetëm kur e kishte denoncuar bashkëshortja tashmë e ndarë nga ai.

Pranimi i veprës nga ana e tij kishte mundësuar, sipas gjykatës, që e bija të kursehej nga detyrimi për të dëshmuar për dhunën e pashembullt që kishte përjetuar nga babai i saj biologjik. Si pasojë e traumave të pësuara ajo ka qëndruar gjashtë javë në një ent psikiatrik për rehabilitim por, siç ka thënë gjatë procedurës paraprake, kujtimet e tmerrshme vazhdojnë ta mundojnë. Ajo ka thënë se është dhunuar “me mijëra herë”.

Kur e ëma e vajzës, më 3 mars të këtij viti e ka ballafaquar ish bashkëshortin me veprimet e kryera, 55 vjeçari i ka kërcënuar se do t`i vriste dhe do t`ia vinte flakën shtëpisë nëse do ta denonconin në polici. Ato megjithatë e kishin denoncuar.

Ndërsa babai ka “arsyetuar” veprimet e tij perverse e të dhunshme me atë se “bashkëshortja gjatë kësaj periudhe ka qëndruar më tepër në Kosovë se me të në Gjermani, kështu që më është dashur të kujdesesha për pesë vajzat. Duke e larë në banjë vajzën e vogël më janë `ngjallur ndjenjat seksuale` (!) ndaj saj”, ka thënë ai, shkruan wochenblatt.de.

Akuza atë e rëndon për 455 përdhunime seksuale që janë përshkruar me hollësi. Po ashtu aty thuhet se ai secilën herë ka përdorur dhunën fizike duke i shkaktuar të bijës hematome në krahë. Ndërkaq i akuzuari relativizon numrin dhe veprimet, duke thënë se veprime të vërteta seksuale ndaj të bijës ka bërë “vetëm” kur ajo i ka mbushur 14 vjet!

Përveç pranimit të veprës, si rrethanë tjetër lehtësuese për babanë e pashpirt është marrë akti se gjatë qëndrimit në burg ai është vazhdimisht i kërcënuar me dhunë nga të burgosurit tjerë. Për këtë arsye ai madje dy herë ka provuar të bënte vetëvrasje.

Pos dënimit me 4 vjet e 10 muaj burg ai duhet edhe t`i paguajë një dëmshpërblim prej së paku 10 mijë euro vajzës së dhunuar. Po kështu, pas vuajtjes së dënimit, ai do të dëbohet në Kosovë.