Integrimi

Përqindja e të huajve të papunë më e lartë se e gjermanëve

Në tregun e punës të huajt kanë shumë më pak shansa për të gjetur një vend pune se sa gjermanët

Nuk ke pasaportë gjermane, s’ka punë? Instituti Gjerman për Ekonomi e ka krahasuar për herë të parë mbi bazat e të dhënave të Agjencisë për Punë, situatën e gjermanëve dhe të huajve në tregun e punës. Rezultati: Ata që vijnë në Gjermani nga një vend tjetër, kanë shumë më pak mundësi për të gjetur një vend pune.

Personat, që punojnë me një rrogë minimale, nëpunësit dhe privatët nuk janë marrë parasysh në këto statistika. Nuk janë llogaritur as pronarët e huaj të restoranteve, refugjatët dhe azilkërkusit. Në analiza janë përfshirë vetëm të huajt me leje të rregullt qëndrimi në Gjermani.

Megjithë këto kufizime në fund kemi një “situatë shumë të qartë”, thotë për DW, Holger Schäfer, referent për sektorin e punësimit në Institutin Ekonomik.

Në esencë, sipas tij, papunësia e të huajve në krahasim me gjermanët është shumë më e lartë, madje dyfish më e lartë. Papunësia e përgjithshme në Gjermani në qershor ka qenë rreth 7%. Ndërkohë që papunësia e personave pa pasaportë gjermane ishte 14 %.

Të ardhurit nga vendet arabe janë në veçanti të prekur nga papunësia në Gjermani. Më së shumti të papunë ka nga Libani, Iraku, Afganistani, apo Irani.

“Kjo ka të bëjë me siguri me faktin që këta njerëz nuk vijnë në Gjermani për shkak të profesionit të tyre, por si refugjatë. Ndaj e kanë shumë vështirë të gjejnë vendin e vet në këtë vend.”, shpjegon Holger Schäfer.

Shikuar nga të dhënat e përgjithshme, numri më i madh i të papunëve vjen nga grupet më të mëdha etnike të huaja në Gjermani.

Nga 460.000 turq të papunë janë 140.000, ndërsa numri i italianëve të papunë është 29.000 persona. Kur i krahason të dhënat e popullatës turke në Gjermani del se përqindja e turqve të papunë është dy deri në tri herë më e lartë se e gjermanëve.

Dallime në krahasim me gjermanët që nuk ka gati fare, kur i krahason ata me personat e ardhur nga vendet industriale. Francezët, britanikët, aziatët apo amerikanët kanë shansa të njëjta që të gjejnë një vend pune në Gjermani sikur edhe gjermanët.

“Pozicione shumë të mira kanë edhe evropianolindorët. Përqindja e polakëve të papunë, për shembull, është shumë pak më e lartë se ajo e gjermanëve”, thotë Schäfer.

Ndërsa rumunët, për të cilët shpesh thuhet se kanë ardhur shumë në Gjermani për shkaqe sociale, kanë madje një përqindje pak më të lartë punësimi se sa vet gjermanët.”

Rrënjët e problemit të papunësisë më të madhe të të huajt në Gjermani gjenden tek mangësitë në përgatitjen profesionale”, shpjegon Schäfer.

Të huajt shumë shpesh nuk kanë kurfarë kualifikimi, ose nuk i kanë kualifikimet e duhura. Ndërkohë që vetëm 8 % e gjermanëve janë pa kualifikime profesionale.

“Agjencitë tona për punë duhet të kontaktojnë personat me origjinë të huaj dhe t’u mundosojnë atyre një përgatitje për të mirë profesionale”, pohon Schäfer.