Integrimi

Kosovarët e dënuar në Zvicër, do të vuajnë dënimet në Kosovë

Ministrja e drejtësisë, Simonetta Sommaruga i ka siguruar skeptikët se nuk duhet të frikësohen se në Kosovë mund të ekstradohen të dënuarit në rastet kur atyre atje u kanoset shkelja e të drejtave të njeriut

Shtetasit e Kosovës, të dënuar në Zvicër duhet të vuajnë dënimin e tyre në Kosovë. E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për shtetasit zviceranë që kanë kryer vepra penale në Kosovë, pra, këta duhet të kthehen në Zvicër për të mbajtur burgun. Marrëveshja ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës që rregullon këtë çështje është miratuar sot, e martë, nga  Dhoma Nacionale e Parlamentit të Zvicrës.

Kjo marrëveshje është miratuar pa debat, me 141 vota pro, asnjë kundër dhe 40 vota  të përmbajtura, kryesisht nga Partia Socialdemokrate .

Komisioni juridik në kuadrin e kësaj dhome ka miratuar po ashtu këtë marrëveshje me 14 vota pro, asnjë kundër dhe 5 abstenime, shkruan nzz.ch.

Ministrja e drejtësisë, Simonetta Sommaruga i ka siguruar skeptikët se nuk duhet të frikësohen se në Kosovë mund të ekstradohen të dënuarit në rastet kur atyre atje u kanoset shkelja e të drejtave të njeriut.

Marrëveshja do të ndihmonte riintegrimin e të burgosurve në rrethin social të tyre. Një i burgosur që ka ambientin e tij familjar dhe kulturor në afërsi, integrohet më lehtë pas vuajtjes së drenimit në atë ambient, thuhet në arsyetimin e Qeverisë Federale. 

Një qëllim tjetër që ndjek kjo marrëveshje është zbritja e kostos që shkakton mbajtja e të burgosurve të huaj në Zvicër. Vendi në të cilin është marrë vendimi gjyqësor, (në këtë rast Zvicra, për të dënuarit kosovarë) bart vetëm shpenzimet e dorëzimit të të burgosurit në vendin përkatës dhe jo edhe shpenzimet e burgut të atjeshëm.

Qeveria Federale me këtë marrëveshje po ashtu premton se do të arrijë t`i frikësojë dhe zmbrapsë nga kryerja e veprave penale të ashtuquajturit turistë kriminelë. Kjo për faktin se ata që do të kryejnë vepra penale në Zvicër, do të ketë mundësi të kthehen në vendin e prejardhjes edhe kundër dëshirës së tyre. Nga ana tjetër të burgosurit nuk e kanë të drejtën që vetë të kërkojnë të mbajnë dënimin në vendet e prejardhjes. Po ashtu si kusht për funksionimin e marrëveshjes është që të dyja shtetet të pajtohen për pranim dorëzimin e të burgosurve.

Ministrja e drejtësisë Simonetta Sommaruga ka shpjeguar se “çdo rast individual duhet të shqyrtohet veçanërisht”. Personat e prekur nga kjo mund të paraqesin shkaqet që flasin kundër një vendimi të tillë në rastet konkrete. Dhe autoritetet janë detyruara t`i shqyrtojnë ato shkaqe, shkruan nzz.ch më tutje.

Sommaruga më tutje ka sqaruar faktin përse është dashur që me Kosovën të lidhet një marrëveshje e tillë në nivel bilateral. Kjo, sipas saj shpjegohet me faktin se jo të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës e kanë njohur Kosovën si shtet.

Çështja tash i kalon në miratim Dhomës së kantoneve