Kinema

“Nëntori i ftohtë” garon në festivalin norvegjez

Ani pse kanë kaluar një vit e gjysmë prej se u dha premierë botërore, “Nëntori i ftohtë” vazhdon rrugëtimin nëpër festivale.

Filmi që sjell histori familjare, bazuar në ngjarje të vërteta, në një kohë të turbullt të fillimviteve ‘90 në Kosovë, do të shfaqet premierë në Norvegji. Është në konkurrencë zyrtare të “Kosmorama Trondheim International Film Festival” në kategorinë kryesore të tij “New Directors”.

Festivali do të mbahet prej 4 deri më 10 mars në qytetin Trondheim me rreth 200 mijë banorë, që gjendet në qendër të Norvegjisë, shkruan Kohaditore, përcjell Albinfo.ch.

Regjisori i filmit Ismet Sijarina ka thënë se pas premierës skandinave të filmit, në Göteborg të Suedisë, pjesëmarrja e tanishme në Norvegji është tregues se ky film po pëlqehet nga audienca nordike. “Nëntori…” qe në programin zyrtar “Göteborg Film Festival”, edicioni i sivjetmë i të cilit u mbajt prej 25 janarit deri më 4 shkurt.