Integrimi
“TASH”, komunikimi shqiptaro-gjerman
Iniciativa studentore gjermano-shqiptare “TASH”, me seli në Reutlingen, angazhohet për ruajtjen e traditës dhe shkëmbimin e ndërsjellë të kulturave dhe zakoneve mes shqiptarëve dhe gjermanëve.
Janë qindra, e ndoshta edhe një mijë, por ka që thonë se numri ka arritur edhe dy mijë studentë. Megjithatë, ende nuk ka një statistikë zyrtare për ta vërtetuar numrin e saktë.
DW sjell një reportazh për studentët me prejardhje shqiptare këtu në Gjermani, për ata që kanë lindur apo të ardhur e të rritur këtu, si dhe për ata që vijnë ndërkohë për të studiuar nga Kosova, Shqipëria apo Maqedonia. Pikërisht duke e pasur parasysh numrin e madh të studentëve të tillë që rritet nga viti në viti, lindi edhe ideja e një vetorganizimi nga studentët.
Kështu në vitin 2007 një grup studentësh, rreth 20 syresh, u mblodhën në Frankfurt mbi Main, në Universitetin Wolfgang – Goethe dhe diskutuan për një organizim të tyre që do të kishte si qëllim bashkimin e të gjithë studentëve aktivë shqiptarë dhe gjermanë. Si nevojë e domosdoshme ishte në radhë të parë krijimi i kushteve për një shkollim më të mirë dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin sipas mundësive në mbarëvajtjen e procesit studimor.
Kështu edhe u formua shoqata me emrin „TASH„ – Iniciativa Studentore gjermano-shqiptare“ me seli në Reutlingen. Duke u fokusuar kryesisht në integrimin e studentëve të ardhur këtu në Gjermani, kjo shoqatë ka vendosur një sërë synimesh, me theks të veçantë ruajtjen e traditës dhe shkëmbimin e ndërsjellë të kulturave dhe zakoneve mes shqiptarëve dhe gjermanëve.
Kryetari i kësaj shoqate, Muhamet Idrizi, por edhe një nga iniciatorët e themelimit të kësaj shoqate, në një bisedë për DW flet për fillimin e kësaj rruge. „Ideja lindi në një forum në internet më 2006, nga një grup studentësh shqiptarë, ku u zhvillua një debat lidhur me edukimin dhe arsimimin e shqiptarëve në diasporë, por edhe të studentëve në Kosovë.
Fillimisht u vendos që të takoheshim në Frankfurt, pasi edhe pjesa më e madhe e studentëve ishin në këtë zonë të Gjermanisë. Në këtë takim që u bë në Universitetin e Frankfurtit u hodh ideja e themelimit të një Iniciative studentore.
U bënë parapërgatitjet rreth tre muaj para takimit të aktit zyrtar të themelimit të saj. Kështu, pas shumë përpjekjesh dhe angazhimesh, u mblodhën 25 studentë në takimin e radhës pikërisht në ambientet e këtij Universiteti dhe themeluam zyrtarisht këtë shoqatë“, kujton Idrizi.
Sipas Idrizit, shoqata e re „TASH“ në Frankfurt ishte një nevojë e domosdoshme dhe i vuri vetes si synim zgjerimin e shoqatës me anëtarë të rinj nga e gjithë Gjermania, si dhe informimin e studentëve të rinj shqiptarë me procedurat në universitete, por edhe me mundësitë për marrjen e ndonjë burse apo ndihme financiare për përballimin e vështirësive gjatë rrugës së gjatë të studimit.
“Kur e themeluam ka qenë Iniciativa studentore e shqiptarëve të diasporës, por më pas, më 2009, bëmë një ndryshim, duke e kthyer atë në shqiptaro-gjermane. Tashmë në kryesinë tonë ka shumë studentë dhe miq gjermanë.
Shoqata ka degën e saj kryesore këtu në Gjermani, por edhe një në Mitrovicë si OJQ e themeluar më 2010 atje. Synimi ynë është që kjo shoqatë të jetë edhe një bërthamë ndërkulturore, veçanërisht mes kulturave shqiptare e gjermane“, thotë Idrizi.
Shoqata kishte organizuar më 2009 një ekskursion të përbashkët me rreth 30 studentë gjermanë dhe shqiptarë në Kosovë. “Për mua përmbajtja e fjalës migracion ka marrë një kuptim të ri pas vizitës në Kosovë. Secili tashmë i kupton edhe shkaqet historike dhe sociale të shqiptarëve për migrimin e tyre.
Vizita në Kosovë na bëri mirë të gjithëve që kishim dëgjuar dhe kishim lexuar për këtë vend, por kur je atje dhe i prek gjërat nga afër, mëson më shumë. Për këtë arsye unë do të doja të ndërtoja një urë dhe të aktivizoja pasuritë e të dyja popujve për një shkëmbim ndërkulturor mes tyre“, tha Markus Beuter, anëtar dhe kryetar i dytë i shoqatës «TASH».
Një ndihmesë të madhe kjo shoqatë ka pasur edhe nga institucionet e Kosovës, por veçanërisht nga konsullata e Kosovës në Shtutgart. Përfaqësuesi i kësaj konsullate, Ymer Lladrovci, thotë se e kanë mbështetur iniciativën e studentëve dhe e kanë përkrahur në aktivitetet e saj.
„Veprimtaria e kësaj shoqate është mjaft e rëndësishme aktualisht për faktin se ka shumë të rinj në Kosovë që dëshirojnë të studiojnë në Gjermani dhe këta studentë me përvojë prej vitesh këtu iu hapin rrugën më lehtë atyre atje, më të rinjve. Shkëmbimi i ndërsjellë arsimor dhe kulturor mes të rinjve ofron ura komunikimi mes dy vendeve, mes dy popujve“, thekson Lladrovci.
Suksesi më i madh i kësaj shoqate mbetet Memorandumi i Bashkëpunimit të Shkollës së Lartë Pedagogjike Ludwigsburg me Universitetin e Prishtinës. Në bazë të kësaj marrëveshjeje do të ketë një sërë shkëmbimesh të pedagogëve dhe studentëve të të dyja institucioneve.
Në Kosovë një grup studentësh gjermanë kanë marrë pjesë në seminarin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, që mbahet çdo vit verës. Muhamet Idrizi është shumë optimist për punën dhe të ardhmen e kësaj shoqate falë edhe rrjeteve sociale, si Facebook, Twiter etj., që ndihmojnë për të thithur edhe më shumë anëtarë dhe për të krijuar rrjete informimi dhe komunikimi me gjithë studentët me prejardhje shqiptare në Gjermani, por edhe me studentët në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e vende të tjera.
„TASH“, emri i shoqatës, ka një domethënie që i bashkëngjitet edhe misionit të saj. Në anglisht ajo do të përkthehej: Together in Action with Students for Humanity“.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës