Kosova

Oda Ekonomike Amerikane, e shqetësuar me grabitjen e bankave 

Oda Ekonomike Amerikane ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me plaçkitjet e vazhdueshme të bankave, të cilat sipas kësaj ode thuhet se kohët e fundit janë bërë kërcënim për tërë sektorin dhe shoqërinë, duke marrë përmasa alarmuese. 

“Plaçkitjet e armatosura nuk kërcënojnë vetëm perceptimin e përgjithshëm për sektorin bankar, por përbëjnë edhe goditje kundër zhvillimit ekonomik të vendit, e rrjedhimisht edhe kundër të ardhmes së Kosovës. Në sytë e investitorëve të huaj rastet e tilla japin përshtypjen e sistemit të dobët të sundimit të rendit dhe të ligjit, duke rritur pasigurinë e të bërit biznes”, thuhet në reagimin e Odës Ekonomike Amerikane. 

Po ashtu u bëhet thirrje autoriteteve të sigurisë si dhe institucioneve të tjera përgjegjëse të vendit që të trajtojnë këtë çështje me seriozitet të lartë.