Kosova

Ligji për Pagat mund të kthehet sërish në Kuvend

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pritet t’ia kthej Ligjin për Pagat sërish Kuvendit të Kosovës për rishqyrtim.

Këtë vendim, presidenti Thaçi pritet ta marrë së shpejti, pas pranimit zyrtarisht të këtij ligji nga ana e Kuvendit të Kosovës.

Mundësinë e rikthimit në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për Pagat e ka konfirmuar përmes telefonit edhe vetë këshilltari politik i presidentit Thaçi, Ardian Arifaj.

“Për shkak të ankesave të pranuara, kërkesave të sindikatave dhe të shoqatave profesionale, të OJQ-ve, por edhe të shoqatave të veteranëve, presidenti po e shqyrton seriozisht mundësinë që të mos e ratifikojë Ligjin për Pagat dhe t’ia kthej Kuvendit për rishqyrtim”, ka thënë Arifaj, raporton “RTV 21”.

Përveç tjerësh, kundër projektligjit të ri për pagat kanë reaguar edhe Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës, Sindikata e Administratës Publike të Kosovës, “Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu Sh.A.” – KOSTT, Sindikata e Pavarur e Judikaturës së Kosovës, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror dhe të tjera.