Integrimi

2 vajza turke fitojnë shtetësinë zvicerane, pa qenë kurrë në Zvicër

Sipas Gjykatës,Federale, njohja e gjuhës gjermane nga ana e tyre e plotëson kriterin e integrimit që kërkohet në rastin e natyralizimit të të huajve në Zvicër

Gjykata Federale e Zvicrës u ka dhënë të drejtë vajzave të një turku me shtetësi zvicerane që të fitojnë edhe ato këtë shtetësi, përkundër faktit se kurrë ndonjëherë nuk kanë jetuar në Zvicër. Fjala është për vajzat 15 dhe 16 vjeçe, që janë bijat jashtëmartesore të turkut.

Ai kishte ardhur në Zvicër në vitin 1988 dhe pasi kishte lidhur martesë me një shtetase zvicerane në Solothurn, kishte fituar në rrethana lehtësuese pasaportën e këtushme. Në periudhën rreth prishjes së kurorës me zviceranen ai ka bashkëjetuar me një turke, në Turqi, me të cilën i ka dy vajzat.

Ai pastaj ka kërkuar që në cilësinë e shtetasit zviceran, kjo shtetësi tu jepet edhe të bijave, pavarësisht se ato nuk jetonin në Zvicër dhe as nuk kishin qenë ndonjëherë këtu. I vetmi kusht që ato e përmbushnin në mënyrë relative ka qenë gjuha gjermane që ato e kanë mësuar në një shkollë private në Turqi.

Kantoni Solothurn pati refuzuar t`u jepte pasaportat zvicerane vajzave të turkut dhe kishin kërkua qëndrimin e Gjykatës Federale si shkalla më e lartë e gjyqësisë në  vend. Kjo e fundit me një vendim të marrë këto ditë ka hedhur poshtë vendimin e autoriteteve kantonale dhe ka vendosur që vajzave duhet tu jepet shtetësia e Zvicrës.

Sipas gjykatës, njohja e gjuhës gjermane nga ana e tyre e plotëson kriterin e integrimit që kërkohet në rastin e natyralizimit të të huajve në Zvicër.

Gjykata Federale ndërkaq e ka injoruar dyshimin e Solothurnit se turku mund ta ketë fituar shtetësinë zvicerane me mashtrim, respektivisht duke heshtur lidhjen e mundshme me gruan nga Turqia, me të cilën ka lindur fëmijët.