Integrimi

Sa para harxhojnë fëmijët?

Një studim që ka bërë shtëpia botuese „Egmont Ehapa“ për sjelljet e konsumatorëve të rinj në Gjermani, nxjerr në përfundim se shuma e parave të xhepit të fëmijëve ka arritur në nivel rekord

Sipas këtij studimi, fëmijët e moshës midis gjashtë dhe 13 vjec marrin mesatarisht 27.56 euro nga prindërit, kësaj i shtohen edhe dhuratat në para për ditë festash, datëlindjesh dhe në vizitat e të afërmve.

“Fëmijët gjermanë marrin dekadën e fundit si tendencë shumë më tepër para xhepi”,  tha për DW, drejtuesi i studimit të shtëpisë botuese, Ralf Bauer.

 Kjo ka të bëjë nga njëra anë me rritjen ekonomike dhe me inflacionin, por nga ana tjetër ka të bëjë edhe me shtimin e bujarisë nga prindërit, veçanërisht në ato që quhen “Patchwork-Familje”, ku bashkëshortët sjellin në martesë fëmijë të lindur më parë, me partnerë të tjerë.

Në këto familje dyfish nuk është vetëm numri i prindërve, por atje dyfishohen edhe paratë e xhepit.

 Shumë udhëzues në internet mbrojnë interesa ekonomike. Prandaj edhe shuma e parave që pritet nga fëmijët rritet.

“Fëmijët janë zbuluar prej kohësh si grup konsumatorësh, shumë firma i shohin fëmijët si të tillë”, thotë Holger Ziegler, profesor i shkencës së edukimit në universitetin e Bielefeldit.

“Natyrisht që ekzistojnë interesa financiare që fëmijët të marrin para dhe t’i shpenzojnë ato në mënyrë të pavarur.”

Në bazë të “Analizës së fëmijëve konsumatorë”, fëmijët i shpenzojnë “të ardhurat” e tyre para së gjithash për libra, revista, ushqim dhe pije.

Shumica e fëmijëve (81 përqind e 6-13 vjeçarëve) kanë liri të madhe për të vendosur.

Në Gjermani, 5,9 milionë fëmijë kanë çdo vit më shumë se tre miliardë euro në xhep.

Madje edhe më shumë se gjysma e fëmijëve në moshë parashkollore kanë para xhepi, mesatarisht 10,68 euro në muaj.

Dhe më shumë se gjysma e 6-13 vjeçarëve zgjedh në mënyrë shumë të ndërgjegjshme marka të caktuara në produkte si atlete, veshje dhe celularë.

Por paratë e xhepit kanë natyrisht edhe shumë përparësi për fëmijët.

Kështu mendon pedagogu Ziegler, në parim është një gjë e mirë që fëmijët marrin para xhepi dhe që mësojnë si t’i përdorin paratë, si t’i ndajnë ato për qëllime të ndryshme dhe që t’i organizojnë vetë nevojat ose dëshirat vetjake.

Edhe studime të tjera tërheqin vëmendjen që sa më shpejt të mësojnë fëmijët të kursejnë para, aq më i vogël është rreziku që më vonë, në moshë të rritur, të kthehen në njerëz me borxhe