Shkurt.ch

Papa përshëndet myslimanët duke i quajtur „vëllezërit tanë”

E veçanta e kësaj përshëndetjeje në përfundim të muajit të agjërimit është se, ndryshe nga herët tjera, kësaj here ka qenë vetë Papa Françesku ai që e ka përpiluar dhe nënshkruar

Papa Françesku i ka përshëndetur të dielën myslimanët e të gjithë botës, duke i quajtur “Vëllezërit tanë”. Këtë përshëndetje i pari i Vatikanit e ka bërë në Romë, duke i uruar myslimanët për festën e Bajramit që ka përmbyllur muajin e agjërimit, Ramazanin.

E veçanta e kësaj përshëndetjeje është se, ndryshe nga herët tjera, kur letrën e përshëndetjes e shkruan këshilli papnor për dialogun ndërreligjioz, kësaj here ka qenë vetë ai që e ka përpiluar dhe nënshkruar.

Në letër ai shfaq shpresën se “të krishterët dhe myslimanët do të angazhohen për të promovuar respektin e ndërsjellë, para së gjithash përmes edukimit të gjeneratave të reja”, shkruan nzz.ch.

Papa Françesku, ndonëse ka pak kohë që është zgjedhur në postin e të parit të botës katolike ka bërë deri më tash edhe disa hapa të tjerë në drejtim të vendosjes së urave në mes të religjioneve.