Shkurt.ch

Ka filluar Festivali i Filmit në Locarno

Në të gjitha seksionet e festivalit, nga 7 deri më 17 gusht do të shfaqen rreth 300 filma

Në mbrëmjen e të mërkurës ka filluar Festivali i 66-të Ndërkombëtar i Filmit në Locarno. Është ky festivali me i rëndësishëm ndërkombëtar që mbahet në Zvicër dhe ndër të rëndësishmit edhe në nivel evropian. Hapja është bërë në sheshin kryesor të qytetit në “Piazza Grande” nga ministri zviceran i kulturës, Alain Berset.

“Në asnjë ministri, kthimi nga pushimet verore nuk ka mundur të jetë kaq i bukur sa në atë të kulturës”, ka thënë Berset duke iu referuar fillimit të festivalit pikërisht në kohën e kthimit nga pushimet.

Filmi që ka hapur festivalin ka qenë një vepër e zhanrit aksion-komedi “2Guns”.

Festivali identifikohet me çmimin “Leopardi i Artë” i cili, pas “Ariut të artë” të Berlinit, “Palmës së Artë” të Kanës dhe “Luanit të Artë” të Venedikut vlerësohet si çmimi më i rëndësishëm nga festivalet evropiane të filmit.

Në të gjitha seksionet e festivalit, nga 7 deri më 17 gusht do të shfaqen rreth 300 filma. Në konkurrencë zyrtare për çmimin “Leopardi i Artë” janë 20 filma.