Integrimi
Ansambli “Arbëresha”, 15 vjet histori suksesi
Një numër i madh bashkatdhetarësh kanë qenë të pranishëm në solemnitetin e mbajtur në mbrëmjen e 26 janarit, në shenjë të 15- vjetorit të themelimit të ansamblit “Arbëresha”, në Aadorf të Kantonit Thurgau
15 vjet nuk janë shumë për historinë, por 15 vjetët e ansamblit “Arbëresha” paraqesin një kohë të ngjeshur me aktivitete të shumta, me qindra koncerte, udhëtime, vizita dhe mbi të gjitha, me një numër të madh njerëzish të frymëzuar për të ruajtur dhe kultivuar kulturën dhe traditën shqiptare në mërgim. Kështu mund të përmblidhet me pak fjalë historia e suksesit e një ansambli i cili është i lidhur fort me komunitetin, i cili e ka krijuar, mërgatën shqiptare të Zvicrës lindore.
Një numër i madh bashkatdhetarësh kanë qenë të pranishëm në solemnitetin e mbajtur në mbrëmjen e 26 janarit në shenjë të 15-vjetorit të themelimit të ansamblit “Arbëresha”, në Aadorf të Kantonit Thurgau. Ata kanë ndjekur një program artistik të përgatitur me shije dhe me përkushtim nga ansambli, tashmë i njohur në gjithë komunitetin shqiptar të Zvicrës e më gjerë.
Mbrëmja jubilare ishte konceptuar më ndryshe nga aktivitetet e ngjashme. Fare pak fjalime dhe më shumë bashkëbisedim në skenë, në mes të themeluesve dhe kontribuesve të ansamblit, kanë shënuar këtë mbrëmje. Po ashtu janë bërë edhe prezantime filmike të anëtarëve dhe janë interpretuar shumë valle nga valltarët e talentuar të “Arbëreshës”.
Kryetari i ansamblit “Arbëresha”, Nua Ukaj, në një fjalim spontan ka përmbledhur në pak fjalë historinë e ansamblit. Ai, sipas tij, është krijuar në vitin 2003, me mbështetjen e Misionit Katolik Shqiptar të Zvicrës Lindore, me seli në Sirnach dhe me ndihmën e pakursyer të kreut të atëhershëm të këtij misioni, Don Marjan Markaj. Që nga ajo kohë, ansambli është rritur dhe ka perfeksionuar në vazhdimësi punën e tij ndërsa synimi kryesor i tij ka qenë dhe mbetet, kultivimi i vlerave kulturore nga tradita shqiptare dhe përcjellja e tyre te brezat e rinj të mërgimtarëve.
Për të realizuar këtë synim, ansambli ka pasur gjatë gjithë kohës edhe mbështetjen e Misionit të përmendur, gjë që u dëshmua edhe në fjalën e rastit që e mbajti kreu aktual i këtij misioni, Don Albert Demaj. Ai u shpreh se shqiptarët kanë arritur një shkallë të kënaqshme të integrimit në Zvicër, falë edhe kushteve që Zvicra ka krijuar për këtë. Por, ka shtuar ai, është detyrë e jona që krahas integrimit me vlera, të ruhemi nga asimilimi. Dhe në këtë pikë, kontributi i ansamblit “Arbëresha” është i padiskutueshëm.
Kryetari Ukaj dhe folësit e tjerë kanë shprehur mirënjohje për të gjithë ata që në faza të ndryshme kanë dhënë kontributin e tyre për mbajtjen dhe rritjen e ansamblit. Në mesin e tyre janë veçuar dhe janë nderuar me një minutë heshtje kryetari i parë, tashmë i ndjerë, Lulzim Saliquni dhe koreografi i parë, po ashtu i ndjerë, Agron Bajrami. Në shenjë mirënjohje për Agron Bajramin dhe si vlerësim për bashkëpunimin e ngushtë të “Arbëreshës” me Shkollën e Vallëzimit Shqip në Zvicër, “Shota”, të themeluar nga Bajrami, i është dhënë një mirënjohje Lirije Bajramit, kryetares së tashme të “Shotës”.
Po ashtu është nderuar edhe koreografi i shquar, profesori Xhemali Berisha, i cili është autor i një numri të madh vallesh që “Arbëresha” i ka në repertorin e saj aktiv. Ai me këtë rast ka falënderuar ansamblin mikpritës për rëndësinë që i jep kultivimit të vlerave nga tradita jonë dhe ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejmë. Koreodrama “Gjergj Kastrioti”, krijimi më i ri i profesorit Berisha ka qenë në qendër të programit artistik të mbrëmjes jubilare, pasi që edhe ishte krijuar enkas me ansamblin “Arbëresha” në shenjë të “Vitit të Skënderbeut”. Në këtë pjesë dhe në paraqitjet e tjera skenike të kësaj mbrëmjeje është inkorporuar edhe figura e Shenjtëreshës shqiptare, Nënë Terezës.
Një numër i madh i valleve të luajtura nga grupe të ndryshme që janë pjesë e ansamblit kanë qenë pjesë e programit të pasur të mbrëmjes. Në secilën valle ka gjetur shprehje përkushtimi dhe dashuria e këtyre të rinjve dhe fëmijëve për traditën e të parëve të tyre.
Në një video që u prezantua si befasi për publikun dhe për vetë kryesinë e ansamblit, të gjithë anëtarët e tij i kanë shprehur kryetarit të ansamblit, Nua Ukaj falënderimin e tyre për punën e bërë në drejtimin e kësaj vatre të kulturës e traditës shqiptare. E përbashkëta e të gjitha fjalëve të shprehura nga ta ishte se në ansamblin “Arbëresha” ata kanë gjetur një familje të dytë, ku me dashuri dhe përkushtim kanë kontribuuar në të mirë të komunitetit dhe kulturës së prejardhjes.
Veç ansamblit “Arbëresha”, me një valle është paraqitur edhe Shkolla e Vallëzimit Shqip në Zvicër “Shota”, e cila ka mbështetur kështu festën e simotrës së saj më të re, “Arbëreshës”.
Grupi teatror “Aktrimi” ka freskuar programin me disa skeçe humoristike satirike, duke vënë në thumb të kriikës dukuri nga aktualiteti shqiptar, ndërsa pas programit zyrtar ka vazhduar argëtimi në shoqëri të këngëtarit të njohur nga Kosova, Afrim Muçiqit.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka...
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
Shitjet e birrës në Zvicër u zvogëluan nga moti i keq Prodhuesit e birrës kanë pasur vështirësi në Zvicër gjatë vitit të kaluar, pjesërisht për shkak të...
-
Pse udhëtarët në Zvicër mund të paguajnë për kilometër në të ardhmen?
-
Nesër, mbyllja e stacioneve të trenit të Gjenevës
-
Zvicër: Dita e sotme shënon fillimin e javës së ‘Black Friday’
-
Zvicër: Aksident mes mjetit ushtarak dhe autobusit