Shëndetësi

Pagat e punëtorëve shëndetësorë me Ligjin e ri të pagave

Në projektligjin për paga, në bazë të koeficientit, pagat më të larta do të jenë për Mjekët Specialist, të cilët janë klasifikuar me koeficient 5.

Paga e tyre nga 659 euro do të rritet në 1195 euro.

Ndërsa koeficientin më të ulët e kanë kategoria e tret e infermierëve mamive dhe teknikëve mjekësor, të cilët janë klasifikuar me koeficient 1.7.

Megjithatë, greva nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, u ndërpre pas një marrëveshje të arritur me Ministrinë e Shëndetësisë.

Por, me këtë marrëveshje të arritur nuk u pajtuan kirurgët të cilët po vazhdojnë të mbajnë grevë, edhe pse në Projektligjin për paga ata janë klasifikuar me koeficientin më të lartë në Sektorin e Shëndetësisë.

Mjekët specialistë janë klasifikuar me koeficient 5. Paga aktuale e tyre është 659 euro në muaj, ndërsa me miratimin e projektligjit, paga e tyre pritet të bëhet 1195 euro.

Pas Specialistëve Shëndetësorë, me koeficient më të lartë renditen Drejtuesit e Lartë në  Institucionet shëndetësore me koeficient 4.8, të cilët pritet të marrin pagë 1147 euro në muaj.

Ndërsa, Drejtorët e klinikave dhe QKMF-ve, janë klasifikuar me koeficient 4.7 që i bie të kenë pagë 1123 euro, raporton “RTV Dukagjini”, përcjell Albinfo.ch.

Për Mjekët Specialistë të Mjekësisë Familjare koeficienti është përcaktuar 4.5. Paga aktuale e tyre është 565 euro, ndërsa me miratimin e ligjit, paga e tyre pritet të rriten në 1075 euro.

Ndërkaq, për Psikologët Klinik dhe Farmacistët, koeficienti është 3.4, paga e tyre do të jetë 812 euro.

Koeficient më i ulët është paraparë për infermierët, mami dhe teknikët mjekësorë. Në bazë të kategorive në të cilat klasifikohen sipas shkollimit dhe përvojës së punës, në kategorinë e parë Infermierët, mamitë dhe teknikët  mjekësor, janë klasifikuar me koeficient 2.2 dhe paga e tyre nga 469  do të bëhet  525 euro.

Kategoria e dytë e tyre është klasifikuar me koeficient 1.9 dhe paga e tyre pritet të bëhet 454 euro. Ndërsa kategoria e tretë ka koeficient 1.7 që i bie të kenë pagë 406 euro në muaj.

Megjithatë, para votimit të këtij projektligji, nga Ministria e Shëndetësisë është thënë se mund të ketë edhe ndryshime të koeficientit në kategori të ndryshme.