Integrimi
Komunikimi shqip me psikiatrin, lehtësim për shërimin
I lindur në Bitijë të Epërme, komuna e Shtërpcës, shkollimin fillor e ka kryer në vendlindje, shkollën e mesme në Ferizaj, drejtimin eksperimental Biologji-Kimi. Fakultetin e Mjekësisë e ka mbaruar në Prishtinë. Studimet postdiplomike gjegjësisht specializimin në degën e Psikiatrisë dhe Psikoterapisë i ka mbaruar në Zvicër. Që nga viti 2012 deri para pak kohësh ka punuar si shef i repartit për sëmundje akute dhe rehabilituese në Klinikën e Psikoterapisë në Chur, kurse tani punon si specialist për psikiatri dhe psikoterapi në ordinancën e tij private në Trimmis, afër Churit, shkruan albinfo.ch.
«Në Zvicër erdha në vitin 1992, atëherë kur situata politike në Kosovë mori përmasa drastike të keqësimit. Fillimisht mbarova një kurs të gjuhës gjermane, pastaj gjeta një vend pune si ndihmës tekniku medicinal, deri sa arrita ta zotëroj gjuhën gjermane në një shkallë të mjaftueshme komunikimi», fillon rrëfimin e tij për aöbinfo.ch dr Shemsi Bakiu, sot udhëheqës i një ordinance psikiatrike në Chur, Graubünden.
«Por atëherë lindën edhe probleme tjera integruese në kantonin ku jetoja, sepse duhej të posedoja vizën e qëndrimit të përhershëm (vizën C) që ishte si kusht për tu avancuar profesionalisht, kështu që si pasojë e kësaj u detyrova ta ushtroja këtë profesion për disa vite me radhë. Dëshira e flakt për një avancim profesional më shtyri ta ndërroj kantonin. Kështu më pas gjeta punë si praktikant në një klinikë rehabilituese për sëmundje reumatologjike në Valens të Kantonit St. Gallen. Aty u punësova fillimisht si ndihmës mjeku (Unterasistent), ndërsa pas një kohe të shkurtër mu besua funksioni si mjek asistent. Më pastaj kalova ne lëmin e psikiatrisë, profesion që e ushtrova në klinika të ndryshme te Zvicrës, si në Qendrën Psikiatrike të Brigut (Wallis) pastaj në Klinikën e Beverinit në Cazis, Klinikën psikiatrike të Churit… Kam mbaruar specializimin për psikiatri dhe psikoterapi për të rritur, studime këto që zgjasin 6 vite. Ndërkaq kurikulumin e psikoterapisë – në degën e terapisë së njohjes dhe sjelljes e cila zgjat 4 vite, e vijova fillimisht në Mynih dhe në St. Gallen. Në vazhdimësi e kam studiuar edhe një metodë për trajtimin e pacientëve të traumatizuar, e quajtur EMDR (Eye Movement Desensitization and Reprocessing), metodë kjo e re por shumë e suksesshme për trajtimin e sëmundjes posttraumatike (PTBS) por edhe sëmundjeve tjera mendore por edhe fizike si psh. te dhembjet e ndryshme trupore».
Mjekët zviceranë «i ikin » psikiatrisë, shans për mjekët me prejardhje të huaj
Ekziston perceptimi se mjekët e ardhur nga jashtë në Zvicër kur specializojnë psikiatrinë, e kanë më të lehtë të gjejnë punë në profesion në krahasim me të specializuarit në fusha tjera. Dhe, dr Shemsi Bakiu e pohon këtë. «Sigurisht. Fakti se të rinjtë zviceranë kryesisht duan t`i shmangin vështirësitë e shumta që ka specializimi në psikiatri, e bën depërtimin e kuadrove të huaja shumë më të lehtë dhe rr jedhimisht që këto kuadro të huaja me kënaqësi e presin këtë mundësi».
Nga ana tjetër, ka shumë pacientë me prejardhje të huaj, në veçanti shqiptarë dhe ballkanas të tjerë, të cilët përfitojnë nga prania e mjekëve specialistë të kësaj fushe, që u flasin në gjuhën e tyre amtare.
«Numri i pacientëve shqiptarë në Zvicër por edhe i atyre nga Ballkani llogaritet të jetë bukur i madh, pjesa më e madhe e të cilëve vuajnë nga sëmundjet posttraumatike, psikosomatike/reumatizmale dhe psikike/ shpirtërore», shprehet dr. Shemsi Bakiu.
«Psikoterapia është ende një subjekt tabu/stigmatizues për shkak të paragjykimit se »nëse jam në trajtim psikiatrik dhe psikoterapik të tjerët mendojnë se jam i çmendur«.
Kjo dukuri në vitet e fundit ka rënë dukshëm ndër pacientët shqiptarë, kur dihet se ata kanë mundësi të shprehen në gjuhën e tyre amtare, gjë e cila u mundëson atyre një qasje ma të lehtë ndaj stigmatizimit të egër».
Por, çfarë është prania e pacientëve shqiptarë në ordinancën e dr Shemsi Bakiut?
«Duke marrë parasysh se jemi një komunitet i madh në Zvicër, një pjesë goxha e madhe e pacientëve të mi janë shqiptarë. Këta vijnë jo vetëm prej kantonit tim, Graubünden, por edhe nga kantonet përreth si St. Gallen, Glarus, Zürich si dhe nga Lichtensteini. Një numër i pacientëve janë ballkanas joshqiptarë, pastaj turq, armenë, irakianë. Vendësit, zviceranët e përbëjnë diku më pak se gjysmën e tyre. Pa dyshim, shumica e pacientëve të mi janë nga viset shqiptare. Madje mund të thuhet se nevojat e tyre për trajtim do të shpreheshin edhe më shumë, sikur këta pacientë të gëzonin një përkrahje më të madhe nga familja, rrethi i ngushtë dhe nga të gjithë ata që i rrethojnë, për shkak të stigmatizimit të sëmundjes, trajtimi i të cilës është po aq i rëndësishëm sikur ai i sëmundjeve të zemrës, diabetit, etj.».
Çfarë i dallon pacientët shqiptarë nga ata zviceranë
Por cili është dallimi në mes të pacientëve zviceranë dhe atyre shqiptarë sa i përket qasjes së tyre ndaj sëmundjeve psikike?
Sipas dr. Shemsi Bakiut ky dallim mund të shihet edhe në faktin se «pacientët zviceranë shkojnë te psikiatri edhe për një konflikt të thjeshtë në familje dhe ata që nga dita e parë e vizitës, pas konsultimit paraprak profesional, e mobilizojnë tërë potencialin e tyre për ta ndryshuar gjendjen e tyre të rëndë. Nga ana tjetër, pacientët tanë por edhe të tjerët, sidomos ballkanasit, presin ndihmë të drejtpërdrejtë nga doktori. Si një person autoritativ, ai, sipas tyre mund t‘i ndihmojë ata për të gjitha problemet që kanë: si ankesa fizike, psikike, psikosociale, financiare. Kjo shpjegohet me faktin se ata, të shumtën e rasteve paraqiten me vonesë për të kërkuar ndihmë profesionale. Prandaj një vizitë te psikiatri duhet të jetë po aq normale dhe shoqërisht e pranueshme si një vizitë te mjeku familjar për ankesa fizike. Sidoqoftë, qasja e pacientëve shqiptarë në Zvicër tash është dukshëm më e mirë se në vitet e kaluara», plotëson dr Shemsi Bakiu.
“Kjo edhe falë faktit se ata tashmë kanë mundësinë të paraqiten te doktori pa përkthyes dhe pa paragjykimin se nuk do të kuptohen nga doktori. Kundër stigmatizimit të personave me çrregullime psikike Megjithatë stigmatizimi i personave me çrregullime psikike respektivisht paragjykimi i egër për këtë kategori të të sëmurëve është një dukuri e dhimbshme kundër së cilës duhet luftuar me vendosmëri, duke filluar nga familja, mjeku, mësuesi, dhe secili që në një mënyrë është në kontakt me pacientin, në mënyrë që të shpëtohen jetëra njerëzish, tërheq vërejtjen dr Shemsi Bakiu.
«Duke qenë se popullata jonë ka kaluar përjetimet më të rënda të luftës, pastaj duke ditur për problemet e shumta sociale e financiare të shumë njerëzve që pa fajin e tyre nuk gëzojnë të drejtën e pensioneve invalidore, mungesa e perspektivës për jetë është shkak që numri i personave që vuajnë nga problemet shëndetësore mendore është shumë i madh. Megjithatë ata i shmangen shkuarjes te psikiatri ose psikologu. Kështu sëmundjet mentale ngelin të pakuruara dhe shpesh për fat të keq duke kaluar sëmundja në fazën kronike ata mbeten me pasoja të rënda dhe madje edhe invalidë të përjetshëm duke u bërë barrë e rëndë për familjen dhe shoqërinë. Nganjëherë kjo përfundon me fatalitet mu për shkak të paragjykimit se te psikiatri shkojnë vetëm »të trentit«.
Kështu këta pacientë të vetëdijshëm se diçka u mungon, shkojnë te specialistët tjerë duke e kërkuar shkakun e sëmundjes në organe trupore, vetëm e vetëm duke mos pasur guximin të ballafaqohen me paragjykimet e shoqërisë. Një pjesë e tyre përpiqen të mbijetojnë duke aplikuar të ashtuquajturin »vetëmjekim”, duke përdorur alkoolin, medikamentet qetësuese, duke frekuentuar hoxhallarët ose priftërinjtë etj.
Më në fund ata paraqiten te psikiatri kur u janë shteruar të gjitha resurset e mundshme por atëherë sëmundja tashmë ka kaluar në fazën kronike dhe shërimi bëhet shumë më i vështirë, ose paraqitet te psikiatri edhe kur ai është i detyruar nga policia ose organet gjegjëse për një kurim të detyrueshëm.
Ndihma më e madhe: mbështetja e prindërve për fëmijët e tyre
Por çfarë rekomandon dr. Shemsi Bakiu për prindërit ose familjarët shqiptarë dhe të tjerë, që përballen në rrethin e tyre me çrregullimet që kërkojnë trajtim psikiatrik?
“Mbi të gjitha mbështetja e prindërve për fëmijët e tyre është ndihma më e madhe që ata mund t`u ofrojnë atyre. Prindërit duhet të përcjellin me kujdes çdo sjellje apo ndryshim të sjelljes të fëmijëve të tyre, si shqetësimet e tyre shpirtërore, çrregullimet e gjumit, çrregullimin e oreksit, izolimin nga rrethi etj. Prindi duhet të mundohet të kuptojë fëmijën e vet për shkaqet që e shqetësojnë atë, të flasë me fëmijën hapur dhe pa emocione, të flasë me partnerin apo personin që ka kontakte të ngushta me të. Fëmija i juaj duhet inkurajuar të flasë për ndjenjat e tij vetëm atëherë kur do t`i kuptoni ndryshimet në sjelljen e tij. Në këto raste nuk duhet të hezitoni të kontaktoni mjekun e familjes nga se njerëzit e tillë është mjaft e vështirë të drejtohen qoftë te psikiatri apo psikologu mu për vet faktin e stigmës së tepruar. Por edhe mjeku familjar duhet të mjekojë të atakuarin në mënyrë të mirëfilltë, duke marrë masa preventive dhe psikoedukative dhe duke e inkurajuar pacientin të vizitojë psikiatrin ose psikologun e jo t`i përshkruajë barna të grupit të benzodiazepinve duke ia komplikuar edhe më tepër gjendjen shpirtërore për shkak të varshmërisë që krijon pacienti ndaj tyre.
Vijnë pacientë edhe nga Cyrihu
Ordinanca ime ka filluar punën me 1 janar 2017 fillimisht me një përqindje të vogël. Atëherë isha i punësuar edhe si kryemjek në klinikën e Psikiatrisë në Chur si udhëheqës i repartit për trajtimin e sëmundjeve akute dhe rehabilituese psikike. Nga 1 korriku 2018 kalova plotësisht në klinikën time private me një bashkëpunim të ngushtë nga bashkëpunëtorët e jashtëm, si me psikologun, punëtorin social dhe sekretarin e ordinancës. Nga stigmatizimi i pacientëve për tu paraqitur në klinikë psikiatrike dhe nga se shumica e tyre vijnë edhe nga Cyrihu dhe punojnë gjatë javës kurse vetëm të shtunën ose edhe të dielën e kanë të lirë, atëherë lindi nevoja të bëj diçka për ta!
Komunikimi në gjuhën shqipe me psikiatrin, me rëndësi vendimtare
«Fakti që terapeuti dhe pacienti komunikojnë të njëjtën gjuhë, ndërton themelet e forta të një baze terapeutike që ndihmon në shërimin më të shpejtë të sëmundjes ose lehtësimin e simptomeve të saj, dukuri që gjen mbështetje nga shoqëria dhe është vërtetuar edhe në mënyrë shkencore. Dhe këtë dukuri më së miri e ilustron fakti se shumë pacientë nga viset shqiptare udhëtojnë disa dhjetëra kilometra por edhe nga kantonet tjera përreth, për ta zhvilluar bisedën në gjuhën e tyre amtare».
Biografi e shkurtë:
- Emri e mbiemriShemsi Bakiu
- Prejardhja:Bitijë të Epërme, Kosovë
- Vendi ku vepron:Zvicër
- Profesioni:Psikiatër
- Kontakti 079 818 39 50
E-Diaspora
-
Frankfurt: Agnesa Kolica, fituese e “Çmimit për Integrim” Ky çmim është një shembull i shkëlqyer për diasporën tonë...
-
Gjermani: Festohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Një yll në ngritje: Fiona, sopranoja e verbër, me zë brilant
-
Londër: Shënohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Pesë gjeodetë nga Kosova magjistrojnë në Vjenë
Jeta në Zvicër
-
Gjermania lëviz për ta bërë jetën më të lirë për blerësit nga Zvicra Ndërsa rregullat e reja zvicerane do t'i bëjnë blerjet ndërkufitare më pak fitimprurëse për njerëzit nga...
-
I kanë marrë priftit 300 mijë franga, me mashtrim: Dënohen dy kosovarë
-
Zvicër: Më shumë fuqi vjen nga dielli
-
Nesër, në Cyrih, protestë e heshtur kundër paraqitjes së Vuqiçit në Zvicër
-
Realizimi i pagës minimale të planifikuar në Cyrih ballafaqohet me pengesa