Bota

Qyteti me më shumë miliarderë

Popullsia e këtij metropoli është rreth 7,4 milionë banorë, është një qytet-port dhe qendër prodhuese dhe financiare

Hong-Kongu është një qytet ku jetojnë një numër i madh njerëzish të pasur. Popullsia e këtij metropoli është rreth 7,4 milionë banorë, është një qytet-port dhe qendër prodhuese dhe financiare, shkruan ‘monitor’.

Hong-Kongu ka përqendrimin më të lartë të njerëzve super të pasur në botë, duke lënë pas New York City-n, Tokion dhe Parisin, përcjell albinfo.ch.

Një në shtatë rezidentë të qytetit është i pasur dhe të paktën 10 mijë persona kanë një pasuri të paktën 30 milionë dollarë. Në qytet vlerësohet se jetojnë 93 miliarderë.

Një prej tyre është Li Ka-shing, banori më i pasur i Hong Kongut, me një pasuri prej 29,3 miliardë dollarësh. Ka-shing, 89 vjeç, është njëri nga biznesmenët aziatikë më me ndikim në botë. Ai dha dorëheqjen si president i kompanisë së tij CK Hutchison Holdings, në maj të 2018-s.

Themeluesi i grupit Alibaba, Jack Ma, pasuria e të cilit është 36,7 miliardë dollarë, jeton në Kinë, por thuhet se ka blerë një vilë 191 milionë dollarë në lagjen më të kushtueshme të Hong Kongut në vitin 2015.

Në Hong Kong ndodhen disa prej banesave më të kushtueshme në botë. Studimi i përvitshëm “Demographia International Housing Affordability Survey” e klasifikon Hong Kongun si qytetin më pak të përballueshëm në botë sa i përket strehimit për tetë vite me radhë.

Çmimi mesatar i një shtëpie në Hong Kong ishte 1,28 milionë dollarë në tremujorin e parë të vitit 2018.

Ndërkohë që disa rezidentë të Hong Kongut paguajnë deri në 500 mijë dollarë për “apartamente të vogla” ose “coffin house”, jeta duket shumë ndryshe për një miliarder që jeton në Hong Kong. Njerëzit më të pasur të qytetit jetojnë në banesa luksoze apo në vila që ndodhen në lagje si “Peak”, zona që rrethon Vicktoria Peak, pika më e lartë e ishullit të Hong Kongut.

Victoria Peak është një destinacion i rëndësishëm turistik. Në një lartësi 500 metra mbi nivelin e detit, Peak rrethohet nga gjelbërimi, me pamje mbi qytet e port.

Në këtë zonë, masat e sigurisë janë të rrepta dhe pjesa më e madhe e shtëpive fshihet pas portave hyrëse. Për një kohë të gjatë “Peak” ka qenë zona më ekskluzive në Hong-Kong. Deri në vitin 1947, aty mund të jetonin vetëm britanikët dhe evropianët.

Disa nga shtëpitë më ekstravagante dhe të kushtueshme të Hong Kongut ndodhen pikërisht në zonën Peak. Në mars të 2018-s, një blerës pagoi 178,4 milionë dollarë për një vilë në këtë zonë, duke u bërë banesa rezidenciale me çmimin më të lartë në të gjithë Azinë.

Shtëpia, e cila ka stilin e periudhës së kolonializmit, është ndërtuar në vitin 1991 dhe çuditërisht është modeste, me 4 dhoma gjumi dhe 4,5 banja.

Një ndër arsyet se pse çmimet e banesave janë kaq të shtrenjta në zonën “Peak” është pasi gjen rrallë shtëpi në treg, deklaroi CEO i kompanisë së konsulencës për pasuri të patundshme luksoze, Koh Keng-shing për “South China Morning Post”.

Njerëz të tjerë të pasur jetojnë në “Deep Water Bay” e cila u cilësua nga Forbes në 2015 si lagjja më e pasur në botë. Sipas Forbes, 19 prej rezidentëve më të pasur të qytetit, duke përfshirë edhe miliarderin Li Ka-shing kanë jetuar në këtë zonë në 2015, vlera e kombinuar e të cilëve është 123 miliardë dollarë.

Kur flitet për mallra luksoze dhe bizhuteri, Hong Kongu është qyteti i dytë më i shtrenjtë aziatik pas Shangait, sipas raportit vjetor “Wealth Report Asia di Bank Julius Baer & Co.”, që analizon shpenzimet e aziatikëve të pasur.

Fook Lam Moon është një ndër restorantet më të famshme në Hong Kong, i njohur për ushqimin e mrekullueshëm dhe shërbimin cilësor.

Në një qytet kaq kompakt dhe me një sistem transporti publik kaq efecient, “makinat janë pasqyrim i jetës së super të pasurve të Hong Kongut”, sipas “South Morning Post”, të cilët zotërojnë makina luksoze si Porsche, Lamborghini dhe Ferrari.