Maqedonia

Ahmeti: Shqiptarët janë shtetformues në Maqedoni

Ndryshimet kushtetuese që çuan në ndryshimin e emrit të Maqedonisë, ishin proces nëpër të cilin Maqedonia nuk e pati fare të lehtë të kalojë, ka thënë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në një intervistë për KTV-në.

Ai ka thënë se ky moment duhet t’u shërbejë të gjithëve drejt pajtimit të popujve për një perspektivë të re.

Futja e Marrëveshjes së Ohrit në Preambulë, sipas Ahmetit, edhe njëherë dëshmon se shqiptarët janë shtet-formues në Maqedoni. Përmes kësaj marrëveshjeje, shqiptarët do ta kenë më të lehtë realizimin e të drejtave të tyre.

Një tjetër ligj që pritet të përmirësojë pozitën e shqiptarëve në Maqedoni, është edhe ligji për dygjuhësi, i cili sipas Ahmetit, pritet të nënshkruhet brenda pak ditëve nga kreu i Kuvendit.

Ahmeti ka thënë se përfaqësuesit e shqiptarëve në Maqedoni duhet të konsolidohen më mirë, në mënyrë që të arrihet sa më lehtë materializmi i të drejtave të shqiptarëve në këtë shtet.