Manifestime

Nobelistët “pushtojnë” qytezën Lindau

Shkencëtarëve të rinj të ftuar, pjesëmarrja u lejohet vetëm një herë në jetë. Ata mund të rikthehen vetëm si mbajtës të çmimit Nobel në rolin e laudatorit

Ashtu si çdo vit në Lindau në vend të turistëve këtë herë vijnë gjenitë: mbahet takimi i laureatëve Nobel. Qindra shkencëtarë të rinj drejtohen për në destinacionin turistik gjerman për të biseduar me njëri-tjetrin.

Lindau është një qytezë e vogël, direkt në trekëndëshin mes vendeve Gjermani-Austri-Zvicër. Në brigjet e liqenit Bodensee, me pamje nga ishulli i luleve Mainau dhe malet e mbuluara me dëborë. Turistë të panumërt vizitojnë Lindaun dhe një herë në vit madje një publik krejt i veçantë.

Në fillim të korrikut, pjesën më të bukur të vitit, shkencëtarë nga e gjithë bota “pushtojnë” qytezën në Bodensee. Brezi i ri i shkencëtarëve, gjenitë e së ardhmes, vijnë në Lindau për të takuar “yjet” e tyre. Nuk është fjala për muzikantë dhe as për aktorë por për mbajtës të çmimit Nobel, shkuan DW. 34 prej tyre marrin pjesë çdo vit në takim. Ndër ta Mario Molina, Hartmut Michel apo Harald zur Hausen.

Që prej vitit 1951 takimi është thyer në traditë. Fillimisht takimi synonte të nxirrte shkencën gjermane nga izolimi i Luftës së Dytë Botërore. Asokohe patën ardhur jo më shumë se shtatë laureatë Nobel, të cilët për herë të parë erdhën nga Danimarka, Suedia, Zvicra dhe SHBA si dhe vendet përreth.

 

–        Bisedë mes brezash

Sot në takimin në Lindau vijnë krahas shumë laureatëve edhe mbi 600 shkencëtarë të rinj. Procedura e përzgjedhjes nuk është e thjeshtë, çdo vit aplikojnë mijëra të rinj. “Ky takim është diçka shumë e veçantë”, thekson Olivia Merkel. Profesoresha 32-vjeçare pati mundësi të merrte pjesë në takim vitin e kaluar.

Por përse është kaq i veçantë Lindau? Vetëm për të dëgjuar fjalimet e gjata të laudatorëve, punët e të cilëve mund të lexohen edhe në revista dhe studime? Jo, kaq të etur për dije nuk janë as vetë gjenitë e rinj. Por me sa duket është “shpirti i Lindaut”, i cili tërheq të rinjtë, atmosfera e jashtëzakonshme të cilën duan ta përjetojnë një herë personalisht.

“Unë i kuptoj”, thotë me pasion edhe Walter Kölle, „është një përjetim unik!“ Kimisti i ujit në pension sot është gati 80 vjeç, por e kujton ende shumë mirë pjesëmarrjen në takimin e mbajtësve të çmimit Nobel në 1964. Pak para doktoraturës ai mori një ftesë nga këshilli administrativ i nobelistëve. Ky ishte një nder i madh për shkencëtarin asokohe 28 vjeçar. Ndër të tjera sepse çdo shkencëtari të ri të ftuar, pjesëmarrja i lejohet vetëm një herë në jetë. Ai mund të rikthehet vetëm si mbajtës i çmimit Nobel në rolin e laudatorit.

Por edhe atmosfera e veçantë e bënte pjesëmarrjen një përjetim unik, thotë Walter Kölle: “Të rinj dhe të moshuar takohen në Lindau, nobelistët sillen si të barabartë me ne, krejt të shpenguar gjatë drekës apo në mbrëmjes festive të studentëve.”

–        “Kimia e gjelbër” në fokus të zhargonit profesional

Nobelistët rrethoheshin qysh në 1964 nga shumë shkencëtarë të rinj të entuziasmuar. Këtë e tregon edhe foto e Otto Hahn, bërë atëherë nga Walther Kölle.

Pikërëndesat e takimit ndryshojnë nga një vit në tjetrin. Herë e kanë radhën mjekët më të mirë, herë fizikantët apo shkencëtarët e ekonomisë. Këtë vit e kanë radhën kimistët. Në qendër është mjedisi, “kimia e gjelbër”. Kursimi i energjisë dhe marrja parasysh e së ardhmes për brezat e rinj. Shkencëtarët e rinj duhet të sjellin ide të freskëta, laureatët e Nobelit përvojën dhe urtësinë e moshës, shkruan DW.

Edhe zbavitja nuk mungon: në Lindau koha kalohet shpenguar: mbrëmje bavareze, “grill and chill”, shëtitje me varkë në liqen me salçiçe, birrë, kafe, ëmbëlsira dhe biseda pa fund.