Integrimi

Shoqata “Peja” në New York, për dy dekada ndihmon familjet në nevojë

Për shkak të situatës politike dhe gjendjes së rëndë sociale në Kosovë, komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 20 vjet më parë formoi Shoqatën humanitare “Peja” në New York, me seli në Bronx, me të vetmin qëllim, t’ju ndihmojë qytetarëve në Kosovë.

Komuniteti shqiptar në këtë pjesë të Amerikës, përpos që ndër të parët kishte hapur shkollën shqipe, e panë të arsyeshme edhe formimin e Shoqatës “Peja”, e cila u themelua më 27.08. 1998, për të zhvilluar aktivitetet që janë në dobi të komunitetit shqiptar.

Protagonistët që ishin pjesë e formimit të kësaj shoqate para dy dekadave, flasin me entuziazëm për punën, sfidat dhe angazhimet që kanë bërë deri më tani, por edhe për prioritetet që kanë në të ardhmen, gjithmonë duke ndihmuar qytetarët në vendin e tyre të origjinës.

Përpos që ishte njëri ndër mësuesit e parë të shkollës shqipe në Bronx dhe kryetar i parë i Shoqatës “Peja”, nga viti 1998 deri në vitin 2014, Agim Çavdarbasha, tani kryetar nderi i Shoqatës, deklaroi për Telegrafin se nga koha që ai ka qenë në krye të shoqatës, kanë arritur të kontribuojnë me një shumë financiare prej 200 mijë dollarë, për qytetarët në nevojë në Pejë e rrethinë.

Kurse, kryetarja e grave të Shoqatës “Peja”, Mensure Llonqari, tha për Telegrafin se pjesëmarrja e grave në shoqatë është e kënaqshme, duke patur parasysh, obligimet e tjera që ato kanë, përcjell albinfo.ch

Ndërkaq, për Ramiz Kelmendin, kryetar i Shoqatës “Peja” nga 1 janari i vitit 2014, deri më 1 janar të vitit 2018, detyrë kryesore e tij dhe anëtarëve ka qenë rritja e numrit të anëtarësisë në shoqatë, për shkak se, sipas tij, një kohë ishte zbehur interesimi i komunitetit shqiptar këtu, që të jenë pjesë e shoqatës.

Por, për kryetarin aktual të Shoqatës “Peja”, Rejmond Zeka, ka qenë 20 vjetori i Shoqatës “Peja”, që më së shumti e ka veçuar punën dhe angazhimin e deritashëm të secilit, sa i përket çështjes humanitare, dhe për këtë, ai ka përmendur ndarjen e mirënjohjeve për ata persona që janë angazhuar dhe ka dhënë kontribut për komunitetin në përgjithësi.
Në anën tjetër, Blerim Koqani, anëtar i Shoqatës “Peja”, i cili njihet edhe si lobues i shoqatës, tha për Telegrafin, se në vazhdimësi do të jetë zëri i thirrjes për të gjithë ata që hezitojnë të jenë anëtarë të shoqatës. Ai është shprehur optimist se viti 2019, do të jetë vit i rritjes së anëtarëve të shoqatës, e po ashtu edhe i angazhimit më të madh të tyre, për të ndihmuar qytetarët në nevojë në Kosovë.

Ndërsa, Adriatik Shala- sekretar i Shoqatës “Peja”, thotë për Telegrafin se e veçanta e punës së shoqatës është që tashmë në mënyrë tradicionale, dy herë në vit, të dërgojnë pako ushqimore për familjet në nevojë në Pejë dhe rrethinë, përcjell albinfo.ch

Shumë bashkatdhetarë në atë kohë, sipas Agim Çavdarbasha, tashmë kryetar nderi i Shoqatës “Peja”, kanë qenë të gatshëm në mënyrë individuale të japin maksimumin nga vetja, si kontribute, “por që nuk kanë ditur të orientoheshin se ku t’i dërgojnë ndihmat, prandaj edhe për shkak të kësaj formuam shoqatën”.

Ai tregon se vetëm për një kohë të shkurtër, në fillim, kanë arritur t’i mbledhin gati 44 mijë dollarë, vetëm e vetëm për të ndihmuar qytetarët.

Në anën tjetër, Rejmond Zeka, kryetar aktual i Shoqatës “Peja”, pra nga janari i vitit 2018, thotë se “në vitin 2018 më shumë jemi marrë me riorganizim të Shoqatës, me Kryesinë e re, ku secili anëtar i Kryesisë i ka detyrat e veta, në mënyrë që shoqata të veprojë në mënyrë më të lehtë dhe më të shpejtë”.

Ai tha se më rastin e 20-vjetorit të themelimit të shoqatës janë ndarë mirënjohje edhe për ata persona që nuk janë pjesë e shoqatës, por që me angazhimin e tyre kanë kontribuuar për çështjen kombëtare dhe për komunitetin.