Kinema
Kino “Lumbardhi” – njëherë e qytetarëve, përgjithmonë e qytetarëve
Kinemaja historike “Lumbardhi” në Prizren planifikohej të shndërrohej në një parking. Në vitin 2007, qytetarët e Prizrenit përmes peticioneve e ndalën privatizimin e saj. Ja çfarë ka bërë fondacioni “Lumbardhi” për rikthimin dhe mbrojtjen e kinemasë
E ndërtuar në vitet 50-ta, Kino “Lumbardhi” që dikur njihej me emrin “Bistrica”, solli artin kinematografik në Prizren, por sot, përveç filmave, po u ofron qytetarëve aktivitete kulturore nga më të ndryshmet dhe hapësirë publike për shfrytëzim ditor.
Por Kino “Lumbardhi” nuk ishte paraparë të mbetej një hapësirë e tillë përgjithmonë, madje planifikohej të shndërrohej në një parking. Në vitin 2007, qytetarët e Prizrenit përmes peticioneve e ndalën privatizimin e kinemasë, e pas 7 vitesh u mblodhën 58 organizata joqeveritare, dhe u formua edhe fondacioni “Lumbardhi” për rikthimin dhe mbrojtjen e kinemasë.
Ares Shporta, drejtor ekzekutiv i Fondacionit “Lumbardhi”, tregon se ishin qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile të cilët nën moton “Lumbardhi përsëri hapësirë publike” luftuan privatizimin e këtij objekti dhe kinemanë ia kthyen përsëri qytetit.
“Vullneti i qytetarëve ka qenë i tillë që ka ndalur procesin edhe ka pasur mbështetje të madhe prej shumë organizatave, prej shumë individëve, shumë akterëve, dhe po mendoj që konsistenca dhe vullneti ynë i mirë i ka zmbrapsur institucionet dhe në një farë forme e ka legjitimuar kauzën dhe kërkesën qytetare që “Lumbardhi” të njihet si monument i trashëgimisë kulturore, të kthehet si hapësirë publike”, ka thënë ai.
Pas “shpëtimit” nga privatizimi, “Lumbardhin” e presin sfida të reja
Por pas fitimit të betejës ndaj privatizimit, qytetarët i priste një sfidë tjetër: rifunksionalizimimi i hapësirës, për çka nevojitej edhe mbështetje financiare. E një rol të rëndësishëm në rifunksionalizimin e kësaj hapësire e pati edhe fushata e zhvilluar në platformën KosovaIdeas. Për 45 ditë, përmes kësaj platforme u mblodhën 20 mijë euro, gjë që rezultoi me rihapjen e Lumbardhit më 3 prill të vitit 2017.
“KosovaIdeas ka ofruar një mundësi shumë të mirë për ta parë se sa në të vërtetë kemi mbështetje të qytetarëve. Kështu, në vitin 2017 kemi shkuar me fushatën “Lumbardhi public again” dhe kemi kërkuar mbështetje për ta kthyer Lumbardhin në funksion ditor. Diku 89 organizata dhe individë na kanë mbështetur me një shumë prej rreth 20 mijë eurosh për një fushatë 45 ditore, si rezultat i së cilës në prill të këtij viti ne e kemi hapur Lumbardhin në shfrytëzim ditor”, ka thënë ai.
Që nga ajo ditë, Lumbardhi po vazhdon të shërbejë për një mori aktivitetesh. Ligjërata, punëtori, koncerte, shfaqje filmash e shumë ide tjera po jetësohen në këtë kinema. Por jo vetëm, Lumbardhi po shërben edhe si hapësirë pune për qytetarët. Ndërsa madhështinë ia shton edhe mini biblioteka, e cila shihet sapo të hysh në këtë kinema. Kjo bibliotekë u pasurua me iniciativën e vullnetin e të rinjve, në kuadër të projektit “Rikthimi i qytetit” të implementuar nga OJQ “EC ma ndryshe”.
Në shërbim të kulturës së të gjitha komuniteteve
Shporta ka treguar se ky ka qenë edhe qëllimi i tyre: rikrijimi i një hapësire që plotëson nevojat e qytetarëve.
“Qëllimi ka qenë që ta rikthejmë Lumbardhin si institucion kulturor që u përgjigjet nevojave të sotme të qytetit, që sjell përmbajtje, u rikrijon hapësira njerëzve, ka një farë qëndrueshmërie dhe është në funksion të plotë”, ka thënë ai.
E që Lumbardhi po bëhet gjithnjë e më shumë vatër e aktviteteve kulturore në shërbim të të gjithë qytetarëve, e thotë edhe Edis Galushi nga organizata “Roma Veritas Kosova”. Përmes kësaj hapësire, Edisi i ka jetësuar disa ide në promovim të kulturës dhe artit të komunitetit të tij.
“Kjo hapësirë publike i është dashur Prizrenit, definitivisht na ka ndihmuar edhe ne që merremi me aktivitete kulturore, që ta kemi edhe një vend shtesë i cili do t`u përgjigjej kërkesave tona. Dhe, Lumbardhi në shumicën e rasteve u përgjigjet nevojave dhe kërkesave për një aktivitet të denjë kulturor”, ka thënë Galushi.
Albumi i këngëtarit Driton Berisha me këngë rock classic të kënduara në gjuhën rome për herë të parë u prezantua në Lumbardh, e po ashtu, në këtë objekt u mbajt edhe mbledhja përkujtimore për poetin rom tashmë të njderë, Kujtim Paçaku. Këto dhe aktivitete të tjera, Edis Galushi thotë se i realizuan si rezultat i përkrahjes që u ka ofruar kjo kinema.
“Definitivisht jemi të interesuar që ta shfrytëzojmë Lumbardhin në maksimum. Por besoj se, nëse pak ristrukturohet dhe nëse bëhet pak më multifunksionale, që të mos mbetet vetëm si një kinema, që salla të improvizohej ndonjëherë për ndonjë shfaqje teatrale, pra, të jetë pak më shumë e pajisur për këto lloj aktivitetesh. Ne jemi të interesuar që Lumbardhin ta shfrytëzojmë për aktivitete të ndryshme kulturore dhe jemi të interesuar që në një të ardhme të afërt Lumbardhin ta shohim si një sallë apo një vend multifunksional”, ka thënë Galushi.
Kino “Lumbardhi”, edhe atraksion turistik
Idenë për zgjerimin e Lumbardhit e ka përmendur edhe Ares Shporta, i cili thotë se tashmë po i pret një sfidë tjetër: definimi i fatit institucional të Kino “Lumbardhi” dhe krijimi i një plani financiar e të qëndrueshmërisë.
“Ndërkohë jemi duke e zhvilluar një projekt ideor për ta rivitalizuar komplet hapësirën dhe për ta shndërruar në një vend që mund të shfrytëzohet 12 muaj të vitit. Për këtë proces natyrisht nevojitet një financim më i madh dhe jemi në drejtim të mirë për ta siguruar mbështetjen e nevojshme”, ka thënë ai për albinfo.ch.
Ndërkaq, e vendosur në zemër të qytetit, në Qendrën Historike të Prizrenit pranë lumit me po këtë emër, Kino “Lumbardhi” po bëhet një pikë turistike atraktive edhe për turistët, të cilët po i tërheq historiku i kësaj kinemaje. Madje, me dy sallat e kinemasë, Lumbardhi po vazhdon të jetë nikoqir i disa prej aktiviteteve të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, “DokuFest”.
Aktualisht, Kino “Lumbardhi” është në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme, ndërkaq drejtori i fondacionit “Lumbardhi” ka treguar për albinfo.ch se pas realizimit të projektit ideor, po planifikojnë të aplikojnë në Listën e Trashëgimisë për Mbrojtje të Përhershme, sepse fundja, ky është edhe qëllimi i tyre, që “Lumbardhi” t’i mbetet përherë qytetit dhe qytetarëve.
Fushata që shpëtoi “Lumbardhin”
“KosovaIdeas ka ofruar një mundësi shumë të mirë për ta parë se sa në të vërtetë kemi mbështetje të qytetarëve. Kështu, në vitin 2017 kemi shkuar me fushatën “Lumbardhi public again” dhe kemi kërkuar mbështetje për ta kthyer Lumbardhin në funksion ditor. Diku 39 organizata dhe individë na kanë mbështetur me një shumë prej rreth 20 mijë eurosh për një fushatë 45 ditore, si rezultat i së cilës në prill të këtij viti ne e kemi hapur Lumbardhin në shfrytëzim ditor”.
Fotot: Elmedina Arapi
Të tjera nga Kinema
E-Diaspora
-
U protestua kundër pritjes së presidentit serb, Vuqiç, në Cyrih Në një mot të ftohtë dhe me shi, u shpalos pankarta e madhe që paraqiste kundërshtimin...
-
“Parandalo”: Personat me aftësi të kufizuara, të përfshihen në proceset vendimmarrëse
-
Së bashku, për një botë pa dhunë ndaj grave
-
Sonte, kryeministri Albin Kurti takon mërgatën në Bruksel
-
Berlin: Besim Gashi u nderua me mirënjohjen e arritjes nga autoritetet e Bundeswehr-it
Jeta në Zvicër
-
Gjenevë: Dyqanet nuk do të hapen më 22 dhjetor Dyqanet e Gjenevës nuk do të jenë të hapura të dielën, më 22 dhjetor. Departamenti i...
-
U protestua kundër pritjes së presidentit serb, Vuqiç, në Cyrih
-
Neuchâtel: Projekti për të ndihmuar të moshuarit viktima të mashtrimit
-
“Parandalo”: Personat me aftësi të kufizuara, të përfshihen në proceset vendimmarrëse
-
Sa përfituan punëtorët në Zvicër nga rritja e pagave