Integrimi

Nismë për një shoqatë ekonomike gjermano-kosovare

Ambasada e Kosovës në Berlin ka ndërmarrë një nismë për krijimin e një shoqate ekonomike gjermano-kosovare për t'i ndihmuar kompanitë kosovare në Gjermani, si dhe për të nxitur zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve

Ambasada e Kosovës në Berlin është duke punuar që nga viti i kaluar për krijimin e një institucioni ekonomik, i cili do t’i ndihmonte si afaristëve kosovarë me banim në Gjermani ashtu edhe atyre gjermane në vendosjen e lidhjeve ekonomike me Kosovën.

Kjo shoqatë gjithashtu mund të mbledhë informata për gjendjen ekonomike dhe zhvillimet aktuale në Kosovë duke ndihmuar si rrjedhojë në zgjerimin e bashkëpunimit  ekonomik mes Gjermanisë dhe Kosovës.

 Në vazhdën e angazhimit për jetësimin e këtij projekti ambasadori kosovar në Berlin,   Skënder Xhakaliu me bashëpuntorët e ambasadës ka vizituar gjatë muajve të kaluar shumë afaristë të suksesshëm kosovarë me banim në Gjermani.

Javën e kaluar ai  qëndroi në Këln, ku u njoh nga afër me veprimtarinë e ndërmarrjes AWR Abbruch me seli në Koblenc dhe me pronarët e saj tre vllezërit Viqa nga Ferizaj, shkruan DW. 

“Ambasada nga viti i kaluar ka marrë iniciativë që së pari t’i vizitojë bizneset kosovare dhe të njihet me veprimtarinë e tyre. Gjatë këtyre vizitave ne kemi hasur në kërkesën e përfaqësuesve të këtyre bizneseve që ata të kenë një forum, një shoqatë apo një institut, i cili do të mbronte interesat e tyre. Kështu ne si ambasadë jemi konsultuar edhe me palën gjermane dhe kemi rënë dakord që të formojnë një shoqatë ekonomike gjermano-kosovare, ku do të ketë përfaqësues edhe nga kompanitë gjermane.”, thotë Xhakaliu

Roli i ambasadës, sqaron ambasadori Xhakaliu, është vetëm iniciues. Ambasada ka marrë vetëm iniciativën për themelimin e kësaj shoqate.

Ajo do ta ketë selinë në Berlin dhe deri në caktimin e bordit dhe krijimit të strukturave organizative kryetar i saj ka pranuar të jetë ish-deputeti gjerman i CDU-së,  Dr. Friedbert Pflüger.

Që nga tërheqja e tij nga Bundestagu gjerman, nga kryesia qendrore e CDU-së dhe nga politika aktive në përgjithësi,  Dr. Pflüger i është përkushtuar shkencës dhe biznesit.

Në vitin 2009 ai është emëruar profesor me honorar në Universitetin britanik, London College King (Departamenti i Studimeve të Luftës), ku ai është Drejtor i Qendrës Evropiane për Sigurinë e Energjisë dhe Burimeve (EUCERS).

Po ashtu Dr. Pflüger është partner drejtues i dy kompanive: Pflüger Internationale Beratung GmbH në Berlin dhe KGE Business Alliances (konsulencë, tregti) në Berlin dhe Erbil në veri të Irakut.

Një prej qëllimeve të shoqatës në radhë të parë është nxitja e investitorëve të huaj dhe afaristëve nga Kosova me banim në Gjermani që të investojnë në Kosovë.

Sipërmarrësit nga Kosova përderisa janë treguar të suksesshëm në Gjermani mund të kenë sukses edhe në Kosovë në të ardhme, tha nga ana tjetër zëvëndësambasadori Islam Spahiu.

 Shoqata Ekonomike Gjermano-Kosovare në të ardhmen mund të luajë një rol të rëndësishëm edhe në zbutjen e papunësisë në Kosovë.

 “Lidhja ekonomike mes Kosovës dhe Gjermanisë është ndoshta lidhja më e natyrshme për të ndihmuar zhvilimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës në Kosovë”, thotë Spahiu.

Në nje takim të organizuar në Koblenc  morën pjesë dhjetëra afaristë nga Kosova në Gjermani. Ata e kanë vlerësuar si shumë të qëlluar idenë për themelimin e shoqatës.

Të gjithë të pranishmit në takim, pa përjashtim, i shprehën ambasadorit Xhakaliu shqetësimet e tyre për shkallën e lartë të korrupsionit në Kosovë.

Sipas tyre ky është shkaku kryesor që ata vazhdojnë të hezitojnë apo që kanë dështuar në përpjekjet e tyre për të investuar në Kosovë.

“Zëri i afaristëve kosovarë të Gjermanisë në Republikën e Kosovës, tek qeveria e Kosovës, do të jetë kjo shoqatë. Me themelimin e shoqatës do të ketë një qendër, e cila do t’u mundësojë këtyre afaristëve, që nuk e kanë të lehtë të depërtojnë në projekte të ndryshme në Kosovë , që në të ardhmen të shkojnë në vizita, të bëjnë presion, të kërkojnë llogari nga qeveria, nga institucionet kosovare, nga Ministria e Ekonomisë, nga Ministria e Industrisë dhe Tregtisë. Pra ideja është që afaristët kosovarë jo vetëm të investojnë, por edhe të gëzojnë privilegje nga të ardhurat doganore dhe nga tatimet, ashtu siç ndodh edhe në shtete të tjera.”, tha Xhakaliu 

Shoqata ekonomike gjermano-kosovare pritet të fillojë aktivitetin e saj në shtator.