Kosova

Festohen Krishtlindjet, me mesazhe paqeje

Sot, e gjithë bota e krishterë kremton Krishtlindjen. E, mesazhe paqeje dhe dashurie janë përcjellë në mesnatë me rastin e meshës kryesore për Krishtlindjen, të mbajtur në Katedralen “Shën Nëna Terezë”.

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, kërkoi nga popujt e Evropa që të kenë më shumë besim te populli shqiptar dhe të mos e shohin si rrezik, por si trashëgimi kulturore dhe shpirtërore të qytetërimit të vet. Meshës i ka paraprirë programi i Krishtlindjes nga fëmijët e Famullisë së Prishtinës, të cilët dhanë një program festiv me recitale dhe këndime.

Ipeshkvi Dodë Gjergji, duke bërë thirrje për një jetë në paqe, tregoi se Shën Pali në letrën e tij thotë se Krishti është shpëtimtari ynë dhe do të na dhurojë të gjithëve jetën e pasosur. Ndërkohë, më herët, Ipeshkvia e Kosovës ka pritur në organizim solemn zyrtarë shtetërorë e përfaqësues diplomatikë në Kosovë, shkruan albinfo.ch

Në pritje, imzot Gjergji ka bërë thirrje për dialog, paqe dhe dashuri në mes të njerëzve, duke thënë se po festojnë të gjithë si miq dhe si besimtarë, duke përçuar mesazhin e dashurisë dhe paqes te të gjithë njerëzit në Kosovë. Besimtarët e krishterë i ka uruar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe zyrtarë të tjerë institucionalë në Kosovë. Me rastin e festës së Krishtlindjes, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i ka dërguar Ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergji, telegram urimi, në të cilin thuhet se Krishtlindja është festë që në vete simbolizon lindjen, jetën e mbarësinë.