Shëndetësi

Mjekët paralajmërojnë greva e protesta

Greva, protesta e madje edhe mosdhënia e ndihmës mjekësore, janë masat të cilat kanë paralajmëruar mjekët në rast se qeveria nuk merr parasysh kërkesat e tyre për rritje të pagave.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë dhe ai i Organizatës Sindikale, gjatë diskutimit të tyre në Komisionin për Shëndetësi, kanë thënë se pas ditës së enjte situata mund të dalë jashtë kontrollit, raporton KTV, përcjell Albinfo.ch.

Mjekët edhe njëherë kërkuan që qeveria t’i marrë parasysh kërkesat e tyre, pasi që, siç thanë ata, mund të shkaktojnë tronditje dhe tollovi në rast të mosmarrjes së hapave konkretë nga qeveria.

E, të gjitha këto kërcënime i kanë shqetësuar anëtarët e Komisionit të Shëndetësisë, të cilët kërkuan nga federata dhe sindikata që të përmbahen derisa të gjendet një zgjidhje.

Ndërsa, në QKUK grevën e kanë vazhduar mjekët e Kirurgjisë Abdominale, derisa i janë kthyer punës ata të Klinikës së Syve. Ndërsa, nga Zyra e Kryeministrit kanë thënë se qeveria në vazhdimësi ka punuar dhe po punon që t’i adresojë të gjitha kërkesat e paraqitura nga mjekët.