Shëndetësi

Testimi i kancerit, me uthull të thjeshtë!

Pasi që në vende të varfra gratë nuk kanë para as për të bërë fotografimin për të zbuluar kancerin në qafën e mitrës, mjekët konsiderojnë se metoda me uthull është një alternativë mjaft e mirë

Një mjet i pazakonshëm dhe që nuk kushton pothuaj fare, për testimin e kancerit mund të shpëtojë mijëra jetë në vendet në zhvillim. Bëhet fjalë për uthullën e thjeshtë që përdorim në kuzhinë, e cila mundëson identifikimin efikas të kancerit në mitër te gratë, thonë studiues të mjekësisë nga India. Ata e kanë prezantuar këtë metodë në një konferencë të mjekëve kushtuar sëmundjes së kancerit, të mbajtur të dielën në Çikago, SHBA.

Pasi që në shumë vende të varfra gratë nuk kanë para as për të bërë fotografimin me mjete të sofistikuara për të zbuluar kancerin në qafën e mitrës, mjekët konsiderojnë se metoda me uthull është një alternativë mjaft e mirë. Pacientet, munden që përmes një shpëlarje me tretje të uthullës të zbulojnë nëse në trupin e tyre bartin qeliza të sëmura që bartin kancerin.

Vetëm në Indi ka mbi 140 mijë raste të kancerit të llojit të përmendur, të cilat mund të zbulohen në kohë të duhur përmes kësaj metode.