Shëndetësi

Depresioni, mania dhe frika

Shenjat kryesore të depresionit janë humbja e pjesshme ose e plotë e aftësisë për t`u gëzuar, për të dashur dhe për tu pikëlluar

Terminologjia – Emërtimi depresion vjen nga fjala latinedeprimere“  që do të thotë „me shtyp“, „me goditë“, „me ndrydhë“, „me rrëzuar diçka përdhe, me goditje“

Definicioni – Depresionet janë çrregullime psikike afektive që shkojnë me humor/disponim/ të rënë. Me fjalë të tjera depresioni paraqet spostim/rënie/ të instinkteve dhe të epsheve, të cilat paraqesin shtytje të brendshme për aktivitete dhe procese jetësore.

Kohëzgjatja – Depresionet e patrajtuara (të pashëruara) mund të zgjasin nga disa muaj deri në disa vite  derisa ato kronifikohen.

Shpeshtësia– Rreth  20% e të të gjithë njerëzve së paku njëherë në jetën e tyre vuajnë nga depresionet

Prevalenca gjinore–   Femrat vuajnë nga depresionet më shumë se meshkujt

Shkalla e depresioneve – Sipas rastit, depresionet mund të jenë të lehta, mesatare dhe të rënda

Llojet e depresioneve

Më i njohuri është depresioni bipolar i cili përbëhet nga episodi depresiv që zgjatë dy-tre muaj dhe vazhdon si episod me mani, i cili po ashtu zgjatë dy-tre muaj. Episodet e tilla me depresion dhe mani ndërrohen në mënyrë alternative dhe si të patrajtuara  mund të zgjasin për vite të tëra.

Depresioni neurotik shkaktohet nga faktorët e jashtëm rrethanorë, përfshirë këtu edhe ngarkesat psikike të cilat krijohen në mesin e anëtarëve të familjes dhe të tjerëve të cilët merren me përkujdesin e të varësuarve të cilët vuajnë njëkohësisht edhe nga sëmundjet psikike.

Shenjat  e depresionit:

Shenjat kryesore të depresionit janëhumbja e pjesshme ose e plotë e aftësisë për t`u gëzuar, për të dashur dhe për tu pikëlluar

Shenjat dytësore të depresionit varën sipas shkallës dhe llojeve të depresioneve. Kështu depresivët sipas rastit vuajnë nga brengat, frikat dhe pasiguritë e tepruara lidhur me të ardhmen.  Ndjehen të lënë, të braktisur, të pa ndihmuar, të pavlerë, të paaftë e të nënvleftësuar. Vuajnë nga lodhjet dhe pafuqitë trupore e shpirtërore,  nga mungesa e koncentrimit dhe e vëmendjes, nga harresat, nga të menduarit e ngadalësuar, nga mendimet negative dhe pesimiste, nga  paaftësia për të pasur vullnet dhe për menduar pozitivisht, për të dashur e për të bërë seks etj. Më tej ata vuajnë nga çrregullimet e gjumit, zgjuarja e vështirë në mëngjespa asnjë shpresë e vullnet. Kështu është i njohur depresioni i thellë i mëngjesit dhe i paradites, i cili zakonisht përmirësohet gjatë pasditeve dhe mbrëmjeve. Edhe humbja e oreksit, marrja e pakët e ushqimit dhe humbja e peshës janë shenja të depresionit. Dhe së fundi pjesë e shenjave të depresionit janë edhe një seri simptomash trupore si p. sh: topitjet e kokës, ndjenja e kokës  së tejmbushur ose  zbrazur, pengesat në frymëmarrje (lëmshi topi në fyt apo në gjoks), pengesat e barkut (topi, lëmshi në lukth), dhimbjet e muskujve të qafës të shpatullave, të kurrizit etj.

Mania

Terminologjia –Emërtimi mani rrjedhë nga fjala greke maniaqë do të thotë  shpërthim, zemërim, tërbim, çmenduri, marrëzi.

Definicioni – Mania si edhe depresioni paraqet një çrregullim afektiv me humor (disponim) dhe shtytje të brendshme (instinkte dhe epshe) të rritura mbi nivelin e zakonshëm të normalitetit.

Kohëzgjatja – Gjendjet me mani quhen episode me mani të cilat zgjasin dy-tre muaj. Te depresioni bipolar episodet me mani i vijnë pas episodeve me depresion

Shenjat e manisë:

Tejngacmueshmëria si pasojë e rritjes së shtytjeve të brendshme

Humori (disponimi) i rritur dhe intensiv

Rritja e vetëdijes dhe e kthjelltësisë mendore pa ndonjë arsye

Aktivitete trupore dhe mendore të vazhdueshme për pa gjetur qetësim

Ndjeshmëri e pakët deri e munguar në raport me nevojat e të tjerëve

Veprime dhe sjellje të guximshme të papenguara /të pakontrolluara/

Ardhja e vazhdueshme dhe e shpejtë e ideve të reja njëra pas tjetrës për shkak të asociacioneve të shumta

Gjatë bisedës ikje (shmangie) nga tema kryesore  dhe marrje me tema dytësore pa u kthyer sërish te tema kryesore

Biseda e vazhdueshme pa pikë e pa presje (logorea) sa që tjetri e ka vështirë ta kuptoj

Paranoja e madhështisë në formën e mendjemadhësisë (megalomanisë)

Rënie e vëmendjes në raport me ambientin për shkak të angazhimit intensiv me idetë vetanake

Rënie drastike e nevojës për të fjetur

Aspekti specifik:

Te të co-varësuarit (familjarët dhe të tjerët) për shkak të ngarkesave enorme me rastin e përkujdesjes intensive të të varësuarve me çrregullime psikike, herë pas here mund të vuajnë nga depresionet episodike, të shoqëruara ose jo me episode të manisë.

Këshilla:

Të co-varësuarit duhet që me kohë ta kërkojnë shërimin e tyre nga personat profesionistë: psikiatrat dhe psikologët

Sipas rastit ata përveç psikoterapive duhet të marrin edhe antidepresiv

2. Çrregullimet e frikës

Aspekti i përgjithshëm:

Terminologjia – Fjala greke „pfobos“ do të thotë „frikë, trembje nga objektet e caktuara“, p. sh: hidrofobia nënkupton frika nga uji, tanapfobia nënkupton frikën nga vdekja, klaustrofobia paraqet frikën nga ambientet e ngushta. Sipas objektit i cili shkakton frikë, fobitë janë të shumta

Çka është frika normale- Jo çdo frikë paraqet çrregullim të frikës. Frika optimale paraqet një afekt emocional normal dhe të domosdoshëm, përkatësish një alarm të dobishëm në raport me kërcënimet dhe rreziqet reale që i kanosen njeriut.

Çka është frika patologjike ose frika e çrregulluar, e sëmurë – Frika patologjike ose e sëmurë paraqet frikën e tepruar ose të pakësuar ndaj faktorëve kërcënues e rrezikues për shkak të çrregullimeve të frikës

Kur ndodh frika e çrregulluar –  Frika e çrregulluar/e sëmurë ose patologjike/ndodh sa herë që rrezikshmëria e një fenomeni real mbivlerësohet ose nënvlerësohet

Frika në formën e atakut panik  ndodhë pa ndonjë rrezik real

Llojet e frikave

Llojet e frikave janë të shumta, por frikat kryesisht ndahen në:

– Në frika të përgjithshme ose jospecifike të cilat nuk kanë të bëjnë me frikat nga objekte dhe situata të veçanta e të caktuara, dhe

– Frika të veçanta ose specifike të cilat kanë të bëjnë me frikat nga objekte e situata të caktuara

Si shfaqet frika e çrregulluar

Kur frika i mbizotëron emocionet dhe sjelljet e të goditurve ajo paraqet çrregullim dhe diagnozë në vetvete, kurse kur ajo paraqitët në kuadër të çrregullimeve të tjera psikike, paraqet vetëm një simptomë të çrregullimeve të tilla

Ka pak çrregullime psikike që nuk e kanë simptomën e frikës

Aspekti specifik:

Duke pasur parasysh se të varësuarit nga mjetet varësuese të cilët vuajnë njëkohësisht edhe nga çrregullimet psikike, sipas rastit mund të bëjnë veprime kërcënuese dhe të rrezikshme  ndaj të tjerëve dhe sipas rastit edhe ndaj vetes, të co-varësuarit (anëtarët e familjes dhe të tjerët) jetojnë me frikë se çfarë veprimi të papritur mund të ndërmarrin të varësuarit me çrregullime psikike në secilin moment të ardhshëm. Me fjalë të tjera të co-varësuarit janë vazhdimisht në frikë dhe pritje të veprimeve të mundshme të rrezikshme të të goditurve.  Frika e tillë është e përgjithshme dhe jospecifike sepse nuk është fobi nga ndonjë objekt i caktuar. Me kalimin e kohës dhe sipas rastit te të co-varësuarit mund të paraqitën edhe fobi specifike që kanë të bëjnë me objekte të caktuara

Këshilla

Të co-varësuarit që vuajnë nga çrregullimet e frikës duhet të trajtohen nga personat profesionist, psikiatër dhe psikolog me arsimime plotësuese për trajtimin dhe shërimin e frikës.

 

Autor: Dr. Med. Xhevat Hasani