Shëndetësi

Psikozat skizofrenike të indukuara/të shtytura/ nga substancat varësuese

Karakteristike për skizofrenin janë çrregullimit e përjetimit siç janë ato Un-it, me ç`rast skizofrenët e përjetojnë veten si të huaj, përkatësisht si një tjetër njeri (fenomeni i depersonalizimit)

Emërtimi skizofreni vjen nga fjalët greke skizos që do të thotë shqyerje dhe fren që do të thotë shpirt ose diafragmë (latinisht diafragma, greqisht diafrasos)

Kështu, skizofreni do të thotë shqyerje shpirtërore, ose shqyerje e diafragmës

Çka është skizofrenia

Skizofrenia është një sëmundje psikike (psikozë) e rëndë. Karakterizohet me çrregullimet e të menduarit, të perceptimit dhe të afektit. Skizofrenia shfaqet në forma të ndryshme.   

Cilat janë shenjat e skizofrenisë

Karakteristike për skizofrenin janë çrregullimit e përjetimit siç janë ato Unit, me ç`rast skizofrenët e përjetojnë veten si të huaj, përkatësisht si një tjetër njeri (fenomeni i depersonalizimit). Më tej atyre iu mungon aftësia për ta vënë kufirin midis Un-it (vetes) dhe të tjerëve në ambientin rrethues. Kështu, ata besojnë se disa mendime nuk janë të tyret por u janë dhënë (implantuar) nga jashtë nga të tjerët, ose se disa mendime të tyre janë përhapur sepse janë përvetësuar nga të tjerët, ose se disa mendime u janë hequr apo bllokuar po ashtu nga të tjerët, se disa ndjenja, veprime dhe impulse që ata kanë nuk janë të tyret, por u janë dhënë (bërë) nga të tjerët nga jashtë etj.

Për shkak të çrregullimeve të të menduarit skizofrenët kanë halucinacione pamore (optike) dhe sidomos dëgjimore (akustike). Ata dëgjojnë zëra, fjali të tëra me përmbajtje të këqija ose të mira të cilat besojnë se iu vijnë nga jashtë për qëllime të caktuara. Më tej po për shkak të çrregullimeve të të menduarit skizofrenet krijojnë përfytyrime dhe mendime paranoike, siç janë p. sh: ato të përndjekjes nga të tjerët sepse ata paraqesin persona me rëndësi, ose ato të madhështisë duke menduar se janë të shenjtë që kanë lidhje me Zotin, ose se janë pasardhës të njerëzve të dëgjuar dhe forma të tjera të paranojës, përmbajtja jologjike e të cilave nuk përkon aspak me realitetin objektiv dhe me ligjet e natyrës.

Me që simptomet e tilla skizofrenet s`i kanë pasuar më parë ato quhen plus simptome, ose simptome pozitive, të cilat shfaqen shpejt dhe papritur  dhe të cilat flasin për prognozë të mirë të skizofrenisë.

Nga ana tjetër te skizofrenet paraqitën edhe minus simptome, përkatësisht simptome negative, të cilat kanë të bëjnë me   disa karakteristika personale të cilat skizofrenet i kanë pasur por nuk i kanë më. Minus simptomet shfaqen ngadalë e si tinëzisht dhe flasin për prognozë jo të  mirë të skizofrenisë.  

Në grupin e minus simptomeve bëjnë pjesë deficitet kognitive (deficitet e njohjes reale të gjërave dhe të fenomeneve), deficitet motorike të cilat shkojnë me reduktimin e lëvizjeve trupore përkatësisht të mimikës dhe të gjestikës. Shprehjet e skizofreneve shkurtohen, varfërohen ose përsëritën si një fjali ose mendim i caktuar (idiolalia).   Në grupin e  minus simptome hynë edhe çrregullimet e gjumit dhe simptomet e depresionit me mungesë të shtytjeve (instinkteve dhe të epsheve), me mungesë të motivacionit për aktivitete, me çrregullime afektive të cilat bëjnë që skizofrenet të janë indiferent si ndaj ngjarjeve të mira ashtu edhe ndaj ngjarjeve të këqija. Çrregullimet e tilla afektive i bëjnë emocionet e  të sëmurëve nga skizofrenia të rrafshëta. Te skizofrenet është vështirë të dallohet gëzimi, hidhërimi, pezmatimi, zemërimi etj. Mimika dhe gjestika e tyre shpesh nuk flet për asgjë.  Simptomet e tilla negative shpien në redukim të komunikimit, të kontakteve sociale, të aktiviteteve dhe sipas rastit edhe deri në invaliditet të skizofreneve. 

Shkaqet e shfaqjes së skizofrenisë janë të brendshme, gjenetike, kurse faktorët tjerë (ngjarjet jo të mira) paraqesin faktor dytësor dhe vetëm iniciues për tu shfaqur skizofrenia.                   

Aspekti specifik:

Çka janë psikozat skizofrenike të indukuara

Për dallim nga skizofrenit me bazë të brendshme trashëguese/gjenetike/, skizofrenit e indukuara shkaktohen nga faktor të jashtëm të cilët i dëmtojnë strukturat e trurit, siç janë edhe alkooli dhe drogat e ndryshme ilegale kur ato konsumohen për vite të tëra. Por jo të gjithë konsumuesit e drogave ilegale sëmurën nga psikozat skizofrenike. Të tilla psikoza shfaqen te ajo pjesë e të varësuarve e cila në njëfarë mase e ka brenda vetës prirjen gjenetike për zhvillime psikotike, por e cila në mungesë të dëmtimeve të trurit nga alkooli dhe drogat tjera ilegale nuk do të vinte në shprehje. 

Këshilla

Të varësuarit nga alkooli dhe drogat ilegale të cilët njëkohësisht vuajnë edhe nga psikozat skizofrenike duhet që patjetër të trajtohen nga personat profesionist, siç janë psikiatrat dhe psikologët, si dhe nga personat tjerë profesionist për trajtime somatike (trupore) të të sëmurëve

Në raste të krizave skizofrenike kur të sëmurët e rrezikojnë vetën ose të tjerët, ata, duhet të hospitalizohen patjetër, qoftë edhe në kundërshtim me vullnetin e tyre

Institucionet

Klinikat psikiatrike ose klinikat e veçanta për shërimin e varësive

C)  Rrjedha e co-varësisë te varësitë e kombinuara me çrregullime psikike

Aspekti i përgjithshëm:

Në fazën e parë, anëtarët e familjes dhe të tjerët (kolegët e punës ose njerëzit „humanistë“) përpiqen  që me arsyetime dhe mbështetje të ndryshme t`u ndihmojnë të varësuarve nga alkooli dhe drogat ilegale të cilët njëkohësisht vuajnë nga çrregullimet psikike të përmendura më lartë. Në këtë fazë „ndihmuesit“ i mbështesin të goditurit duke e sakrifikuar kohën e tyre, sipas rastit edhe duke i ndihmuar ata edhe financiarisht dhe duke investuar për përmirësimin e tyre shumë energji. Të gjitha veprimet e tilla të ndihmuesve i shmangin të goditurit nga vetëpërgjegjësia. Ata nuk marrin masa për pakësimin e konsumimit ose ndërprerjen e konsumit të alkoolit ose të drogave ilegale, sepse për konsumim të mëtejshëm ata e kanë gjetur mbështetjen morale (përkujdesje) dhe sipas rastit edhe financiare te të tjerët (anëtarët e familjes dhe „ndihmuesit“). 

Kështu, është i njohur „sindromi ndihmues“  i individëve të cilët angazhohen vullnetarisht për përkujdesjen e të goditurve, ndër të tjera edhe për t`u bërë ata të njohur për rrethin si „njerëz të mirë“ e si „humanist“ me emër. „Ndihmuesit“ e tillë të shumtën e herëve janë njerëz të cilët vuajnë nga kompleksi i nënvlerës dhe përpiqen që të krijojnë vlera duke i përkujdesur e ndihmuar, shpeshherë jashtë mundësive të tyre reale të tjerët, si të  varësuarit nga alkooli ose drogat ilegale të cilët njëkohësisht vuajnë edhe nga çrregullimet/sëmundjet/ psikike.

Përfundimisht, sjelljet e tilla të „ndihmuesve“ kanë efekte të kundërta. Ato vetëm sa e favorizojnë edhe më shumë varësimin e të goditurve nga alkooli dhe drogat, dhe për rrjedhojë edhe i thellojnë më  tepër çrregullimet psikike të të goditurve, si dhe e co-varësojnë vetën edhe më shumë ndaj problematikave të tilla.

Në fazën e dytë, anëtarët e familjes duke e parë se ndihmesat e tyre në formën e arsyetimit dhe të mbështetjes për të goditurit kanë rezultuar të pasuksesshme, fillojnë që  të goditurit me aq sa munden t`i vënë nën kontroll të vazhdueshme, në mënyrë që ata të mos konsumojnë alkool ose droga ilegale dhe për rrjedhojë  edhe të përmirësohen e  të shërohen, si nga varësitë ashtu edhe nga çrregullimet psikike prej të cilave vuajnë. Kështu, personat ndihmues sërish investojnë shumë mund dhe kohë për t`i mbajtur nën kontroll të goditurit duke e arritur sërish efektin e kundërt, sepse të goditurit sërish i shmangën marrjes së përgjegjësisë për vetën e tyre, sepse  përgjegjësit e tyre i kanë marrë të tjerët, anëtarët e familjes dhe sipas rastit miqtë, shokët dhe „humanistët!“.

Në fazën e tretë, anëtarët e familjes dhe të tjerët fillojnë ti akuzojnë të goditurit për mosmarrjen e vetëpërgjegjësisë, si dhe  kërkojnë ndihmë nga personat dhe institucionet përkatëse për shërimin e  tyre nga varësitë dhe nga çrregullimet psikike. Por edhe në rastet kur të goditurit nga varësit dhe çrregullimet psikike në sajë të terapive adekuate përmirësohen dhe shërohen, të co-varësuarit për vet faktin se kanë frikë se të goditurve mund t`u kthehen sërish gjendjet e mëparshme, dhe për vet faktin se ata nuk janë trajtuar dhe shëruar, vazhdojnë që edhe më tej të vuajnë nga shenjat e co-varësisë. 

Këshilla

Të co-varësuarit duhet të trajtohen nga personat profesionistë për shërimin e co-varësimit të tyre ndaj problematikave të të varësuarve dhe njëkohësisht të të çrregulluarve psikik

Ata duhet t`i kuptojnë kufijtë e tyre në dhënien e ndihmës për të varësuarit si dhe duhet t`i kuptojnë efektet negative të ndihmëdhënies si për të varësuarit ashtu edhe për vetën e tyre.

Aspekti specifik:

Cilat janë çrregullimet psikike prej të cilave mund të vuajnë të Co-Varësuarit

Duke pasur parasysh se anëtarët e familjes dhe të tjerët tani konfrontohen me të goditur që nuk vuajnë vetëm nga varësia por njëkohësisht edhe nga çrregullimet psikike, kjo bënë që ata  gjatë përkujdesjes dhe ndihmesave që bëjnë për të varësuarit e sëmurë psikikisht, përveçse nga shenjat e lartpërmendura të co-varësisë, të vuajnë edhe nga çrregullimet tjera psikike të cilat trajtohen më poshtë. 

(Vijon)

Shkruar nga: Dr. Med Xhevat Hasani