Shqipëria përtej bregdetit
Shqipëria nis të tërheqë kundruesit e zogjve
Nga ajo masë 1,5-milionëshe turistësh joshqiptarë që vizituan Shqipërinë vjet, ka filluar të pikojë dhe një numër i vogël me dylbi dhe blloqe, kundruesit e zogjve (bird watchers)
Mbas një dite të gjatë vëzhgimi në kriporen dhe lagunën e Nartës mbrëmjen e dy korrikut që shkoi, tetëmbëdhjetë anëtarë të shoqatës ornitologjike suedeze Birdlife-Suedi nxorën blloqet në tavolinë. Qarkullonte dhe ndonjë kopje e Fåglar i Europa med Nordafrika och Mellanöstern (Zogjtë e Evropës, Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme).
Pjesa më e madhe e atyre që duan të vizitojnë Shqipërinë vijnë për të shijuar verën në Mesdhe ose për t’iu ngjitur maleve. Dhe të mendosh se dhjetë vjet më parë, përveç eksploruesit të rrallë të aventurës, sektori pati nisur si zgjatim i tureve të bregdetit dalmat dhe ishujve jonianë të Greqisë. Sot ka nga ata që tërhiqen nga çmimet e lira apo për plazhet në pjesë të madhe të pashfrytëzuara.
Nga zero në treqind kundrues të zogjve
Por nga ajo masë 1,5-milionëshe turistësh joshqiptarë që vizituan Shqipërinë vjet—dhe shifra të ngjashme priten dhe në 2018-ën—ka filluar të pikojë dhe një numër i vogël me dylbi dhe blloqe, kundruesit e zogjve (bird watchers).
“Për këtë vit, deri tani duhet të ketë mbërritur deri në treqind vetë numri,” thotë Taulant Bino, presidenti i Shoqatës Ornitologjike Shqiptare (AOS). Nga thuajse zero tre vite më parë.
Arsyet që i sjellin janë të ndryshme, thotë Bino. Mbas një xhiroje në parqet arkeologjike të Mesdheut qershorin që shkoi, një numri turistësh u kishin ardhur në majë të hundës rrënojat antike dhe s’u bëhej vonë nëse në skajin jugor të Shqipërisë kishte kaluar Enea gjatë rrugës nga Troja për në Romë, siç pati vjershëruar Virgjili. Kur zbarkuan nga kroçiera në portin e Sarandës, dhjetë kilometra në veri, ata kërkuan guidë për zogjtë e parkut të Butrintit, thjesht si shëtitje.
Shumica vijnë nga veriu i Evropës
Shifrat janë ende të pamjaftueshme, por pjesa më e madhe duket se vijnë nga veriu i Evropës apo nga kontinente të tjera, dhe kërkojnë një avifaunë tjetër nga ajo me të cilën janë mësuar, duke i shoqëruar me trillet historike të Shqipërisë—korridore transporti të Perandorisë Romake, xhami të eksperiencës së gjatë osmane, apo bunkerë të Luftës së Ftohtë. Bunkerët e braktisur bregdetit, për shembull, përveç lakuriqëve të natës, u janë bërë strehë dhe dallëndysheve kërbishtkuqe (Cecrops daurica).
Operatorët turistikë kanë regjistruar australianë dhe amerikanë, gjermanë a britanikë, hungarezë e sllovenë.
“Në Suedi nuk gjen dallëndyshe deti këmbëzezë”, i thoshte HG Karlsson i Birdlife Suedi Binos në restorantin në Nartë. Gjithashtu Gelochelidon nilotica, e cila është e familjes së pulëbardhave, mund të ishte vënë re vetëm një a dy raste në atë vend (Suedi), diku nga vitet gjashtëdhjetëm ndërsa në Shqipëri i dallon lehtësisht.
Shqipëria, kufiri më perëndimor i pelikanëve kaçurrelë
AOS-ja ka detajuar disa itinerare për kundruesit e zogjve. Për të parë qafëdredhësin (Jynx torquilla) dhe lloje të tjera qukapikësh, dhe gati 30 specie aviare në total, mjafton të shkosh në Malin e Dajtit, që i rri Tiranës në lindje.
Pastaj është Prespa e Madhe, liqeni që Shqipëria ndan në juglindje me Maqedoninë. Bri kishës së Hyjlindëses të shekullit XIV në ishullin e Maligradit në liqen vjet aty qëndroi një koloni e tërë pulëbardhash këmbëverdhë (Larus cachinans). Megjithëse ajo është e kudogjendur në pellgun e Danubit, nuk ishte vënë re kaq poshtë në Ballkan.
Shqipëria është kufiri perëndimor i një hapësire që në lindje nis nga Mongolia, në të cilën folezojnë pelikanët kaçurrelë (Pelecanus crispus), në lagunën e Karavastasë në Shqipërinë qendrore.
Dhe veriperëndimi i vendit, që nis me shpendët e ujit në Liqenin e Shkodrës dhe vazhdon me pulat mjekërroshe (Otis tarda) në fushat bujqësore mbi liqen, duke vazhduar me stërqokat e malit (Pyrrhocorax graculus) dhe zvarritësit krahëkuq (Tichodroma muraria) në malet në veri “është një habitat special,” thotë Bino. “Ai ofron si peizashin dhe një faunë shpendësh më të pasur nga pjesët e tjera të veriut të vendit.”
AOS ju këshillon
Shoqata Ornitologjike Shqiptare (www.aos-alb.org, email: [email protected]) ofron këshillime për ndërtime itineraresh kundrimi zogjsh.
Bulevardi “Gjergj Fishta” Kulla Nr.2, kati 4, hyrja 18
1001 Tirana, Albania
E-Diaspora
-
Frankfurt: Agnesa Kolica, fituese e “Çmimit për Integrim” Ky çmim është një shembull i shkëlqyer për diasporën tonë...
-
Gjermani: Festohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Një yll në ngritje: Fiona, sopranoja e verbër, me zë brilant
-
Londër: Shënohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Pesë gjeodetë nga Kosova magjistrojnë në Vjenë
Jeta në Zvicër
-
Gjermania lëviz për ta bërë jetën më të lirë për blerësit nga Zvicra Ndërsa rregullat e reja zvicerane do t'i bëjnë blerjet ndërkufitare më pak fitimprurëse për njerëzit nga...
-
I kanë marrë priftit 300 mijë franga, me mashtrim: Dënohen dy kosovarë
-
Zvicër: Më shumë fuqi vjen nga dielli
-
Nesër, në Cyrih, protestë e heshtur kundër paraqitjes së Vuqiçit në Zvicër
-
Realizimi i pagës minimale të planifikuar në Cyrih ballafaqohet me pengesa