CH-Ballkani

Ri-integrimi prioritet i Qeverisë së Kosovës

Zëvendësministri Zeka tha se procesi i ri-integrimit është prioritet i Qeverisë së Kosovës, pasi që ka ndikim direkt në procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian

Kthimi dhe ri-integrimi i personave të kthyer nga vendet e Bashkimit Evropian mbetet njëri nga kushtet themelore të Kosovës për liberalizim vizash. Që mos të ketë pengesë në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës kërkon nga liderët komunalë që t’i shpejtojnë hapat në këtë segment.

Që ri-integrimi të jetë i suksesshëm Ministra e Punëve të Brendshme është duke e hartuar draft-rregulloren e re për ri-integrimin e personave të riatdhesuar dhe menaxhimin e ri-integrimit. Pikërisht draft-rregullorja e re u diskutua të mërkurën në Prishtinë ndërmjet zyrtarëve të MPB-së dhe kryetarëve të komunave.

Zëvendësministri i punëve të Brendshme, Izmi Zeka tha se procesi i ri-integrimit është prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës, pasi që ka ndikim direkt në procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian.

Siç thuhet në njoftim të MPB-së, zëvendësministri Zeka ka kërkuar përfshirjen e të gjithë akterëve, në veçanti të nivelit komunal, në zbatimin e rregullores për të cilën u diskutua.

“Procesi i riintegrimit është me rëndësi të zbatohet me përpikëri, në mënyrë që të mos ketë ngecje në të ardhmen. Shumica e përgjegjësive duhet të barten nëpër komuna, prandaj, duhet të jetë përgjegjësi ekskluzive e kryetarëve të komunave, që të jenë në mbikëqyrje të këtij procesi”, theksoi ai.

Edhe këshilltarja vendore e projektit të binjakëzimit, Meri Sisko Eskola ka përgëzuar  Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për angazhimin e bërë për ri-integrimin e personave të riatdhesuar.

Institucionet e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me shumicën e vendeve të BE-së për pranimin e të kthyerve. Kthimi shkon në korrelacion me ri-integrimin e tyre në shoqëri.