Feja

Ortodoksët festojnë pashkët, bëhet thirrje për tolerancë

Toleranca ndërfetare ka qenë dhe vazhdon të jetë një ndër vlerat më të rëndësishme të Republikës së Kosovës, deklaroi presidentja Atifete Jahjaga

Mijëra të krishterë në Kosovë dhe në Shqipëri po e festojnë kremten e pashkëve  ortodokse, njërën nga festat më të mëdha të krishterimit që simbolizon ringjalljen e Krishtit pas kryqëzimit në premten e zezë.

Për t’i uruar klerikët ortodoksë serbe të dielën në Manastirin e Deçanit qëndroi presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e shoqëruar nga zëvendëskryeministri Sllobodan Petroviq, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson dhe komandanti i KFOR-it Volker Halbauer.

Ata u pritën në Manastir nga Igumani Sava Janjiq dhe disa murgj të tjetër që shërbejnë në këtë objekt fetar.

Presidentja Jahjaga e uroi Igumanin Janjiq dhe të gjithë besimtarit ortodoks për Festën e  Pashkëve Ortodokse dhe tha se toleranca fetare në Kosovë është vlera më e madhe e shoqërisë në vend.

“Erdhëm këtu sot në Manastirin e Deçanit, që t’ju uroj të gjithë besimtarëve ortodoksë festën e Pashkëve, me qëllim që të shpërndajmë mesazhe të tolerancës, solidaritetit dhe të mirëkuptimit për këtë komunite”, deklaroi presidentja Jahjaga.

Toleranca ndërfetare, sipas saj, ka qenë dhe vazhdon të jetë një ndër vlerat më të rëndësishme të Republikës së Kosovës.

“Sepse, ne jemi duke ndërtuar suksesshëm një shtet gjithëpërfshirës, një shtet demokratik ku të gjitha komunitetet dhe secili individ, në mënyrë të barabartë i realizon dhe i gëzon të drejtat e veta”, tha ajo.

Edhe shqiptarët që i takojnë konfesionit ortodoks festuan pashkët. Ndërsa kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i të gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatus uron besimtarët për këtë festë. Ai tha se ngjallja e Krishtit u ofron besimtarëve në mënyrë diakronike fuqinë e pashtershme kundër dëshpërimit.