Kosova

KDI i bën thirrje kuvendit pas ngjarjeve të fundit në veri të Mitrovicës

Instituti Demokratik i Kosovës me anë të një njoftimi ka thënë se: “ po përcjellë me vëmendje zhvillimet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës si protestat qytetare dhe dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave me shumicë Serbe, paralajmërimet për bojkot të institucioneve dhe shkëputjen e marrëdhënieve dhe komunikimit zyrtar me institucione të nivelit qendror, etj. KDI vlerëson se këto janë mjaftueshëm zhvillime të cilat kërkojnë vëmendjen e institucioneve të Kosovës, në këtë rast Kuvendit”.

Gjatë ditës së sotme, katër kryetarët e komunave serbe në Kosovë, kanë dhënë dorëheqje pas ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur në veri të Kosovës dhe rritjen e taksës nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“KDI vlerëson nevojën që Kuvendi i Kosovës të ftoj një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në vend. Kjo seancë e jashtëzakonshme duhet të shërbej nevojën për një qasje të koordinuar konsensuale të skenës politike dhe institucionale për të parandaluar krijimin e vakumit institucional”, thuhet në njoftimin e KDI-së.

KDI gjithashtu I ka drejtuar një letër deputetëve të kuvendit.

“I/E nderuar deputet/e, ne besojmë në vullnetin dhe angazhimin tuaj që t’i kontribuoni situatës aktuale me rekomandime dhe veprime konkrete ndaj institucioneve të vendit për të adresuar këto zhvillime dhe për të rikthyer normalitetin e jetës qytetare dhe asaj institucionale”, shkruan tutje në njoftimin e KDI-së.