Opinione

Nëntori i “Shqiponjës Vulgare”

Para pak ditësh, me urdhër të kryeministrit të Shqipërisë (Edi Rama), u hoq shqiponja të cilën biznesmeni dhe humanisti i mirënjohur tetovar, z. Lazim Destani ia dhuroi Shqipërisë dhe shqiptarëve në 100-vjetorin e pavarësimit të vendit.

Arsyetimi i medieve është se kjo ndodhi për shkak të ndërtimit të mbikalimit që do ta lehtësojë lëvizjen e automjeteve në këtë nyje të rëndësishme të kryeqytetit.

Gjeri këtu është gjithçka në rregull dhe vetëm një dashakeq mund të fusë hundët aty ku nuk duhet. Në kësi rastesh është e natyrshme që të zhvendosen përkohësisht edhe simbolet si puna e shqiponjës, për t’u vënë pastaj aty diku, apo në një hapësirë të afërt publike.

Kështu ndodh gjithkund në botë, hiq monumentet e pushtuesve të vendosura dhunshëm në sinorin e tjetrit.

Mjerisht, kryeministri i Shqipërisë nuk mundi të rrijë pa e komentuar heqjen e shqiponjës me një diskurs fyes për të gjithë ata që nuk mendojnë si ai.

Për të shqiponja paska qenë: “Vulgaritet, që s’kishte hipur me më shumë prepotencë në një piedestal, se sa në rastin e kësaj ‘shqiponje’ në mesin e një skenografie pseudoklasike prej hyrjeje në kazino, që natën e bënte hyrjen e Tiranës si skenën e një filmi nga një tregim i Edgar Alllan Poe-s! Më në fund”.

Për mendimin tim kjo mënyrë e justifikimit të heqjes së shqiponjës është irrituese dhe fare e panevojshme.

Veçmas mënyra e shkuljes së saj, pa respektin më të vogël, që të sjell ndër mend monumentin që përdhosi para pak vitesh xhandarmëria serbe në sheshin e Preshevës…

Fyes është dhe momenti i gjoja shpëtimit të shqiptarëve nga shqiponja vulgare e kryeministrit, sepse ndodhi në përvjetorin e 550-të të heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe në nëntorin e Ditës së Flamurit shqiptar, që bashkë më gjuhën po mbeten shenja të vetme që na e kujtojnë se duhet të jemi një.

Në rrethanat e një Shqipërie normale, në krye të së cilës do të qëndronin njerëz që nuk identifikohen nga brenda e nga jashtë me afera hajdutësh ordinerë, heqja e shqiponjës nuk do të justifikohej me fyerje bajate pushtetarësh, qoftë edhe vetëm për respekt të biznesmenit, humanistit e altruistit tetovar z. Lazim Destani – njeriut e atdhetarit, që shqiponjën nuk e dhuroi për poena politikë, sepse nuk është pushtetar dhe sepse është i njohur si personalitet që një pjesë të të ardhurave nga biznesi i tij me përmasa globale ta investojë për të mirën e bashkëkombësve, jo të subjekteve politike dhe të ideologjive kalimtare.

Ai nuk e dhuroi shqiponjën as për të bërë emër e për t’u fotografuar me lidershipët shqiptarë, sepse aktualisht gëzon autoritet të brendshëm e ndërkombëtar dhe pritet me respekt të veçantë prej liderëve të shteteve më të mëdha të botës, që nga presidenti i SHBA-së…

Por kjo ka të bëjë me Shqipërinë e ëndrrave, jo me Shqipërinë e hajdutëve, që përpiqen t’na e mbushin mendjen se shqiponja qenka vulgare.

E si mund të jetë vulgare një monument i tillë në një vend të braktisur prej gjysmës së popullatës së saj; në një vend ku, për shkaqe të kequdhëheqjes, vriten njerëzit si në luftëra civile; në një vend që përpiqen ta shpëtojnë nga kthetrat e hajnisë politike edhe ambasadorët e shteteve mike të shqiptarëve; në një vend të katandisur prej prijësve të saj me imazh kapobandash kolumbiane; në vendin të cilin liderët e saj e shesin copa-copa tezgave të fqinjëve nëpërka; në një vend që, akoma pa u tharë mirë varret e viktimave civile në Kosovë dhe akoma pa u terrur lotët e mijëra grave të dhunuara shqiptare…, çelësi i kryeqytetit i jepet Goran Bregoviqit – këngëtarit serb që hodhi në gjendje deliri turma të painformuara shqiptarësh me këngët e tipit Kallashnikov dhe Jurish, të cilët çetnikët i këndojnë si himne luftarake, sa herë që u ndërsehen shqiptarëve…; në një vend ku figura të njohura që drejtojnë medie nacionale qytetin e ABC-së shqipe e quajnë Bitolje; në një vend ku ndoshta mbi 90-të për qind e shkollarëve dhe qenieve estetike, e kanë për turp t’i pagëzojnë fëmijët me emra të bukur shqip; në një vend ku Flamuri shqiptar unj kokën për t’i bërë vend valëvitjes së simbolit nazist të bishave të Bularatit, në një vend pushtetarët e të cilit territoret dhe shqiptarët e mbetur pa të drejtë nën thundrat e të tjerëve i konsiderojnë si diasporë; në një vend ku matrapazët shesin legalisht robinka shqiptare për serbët e fshatrave të braktisur, prej të cilëve kanë ikur nga sytë-këmbët vetë serbet etj., etj.

Kjo është arsyeja përse më duket banale dhe inatçore shtesa e kryeministrit për heqjen e shqiponjës me arsyetimin fare të panevojshëm estetik, me justifikimin se nuk qenka tredimensionale, por petaluqe dhe me ndërlidhjen e të gjithës me dofarë kazinosh pronarët e të cilave sigurisht janë të kabiles pushtetare.

Fatmir Sulejmani (Portalb)