Manifestime

Të Gjelbrit festojnë 30 vjetorin

"Të Gjelbrit janë paraqitur para 30 vitesh për të ndryshuar botën. Dhe ata kanë ndryshuar së paku Zvicrën”, ka thënë bashkëkryetarja Rütz

Të Gjelbrit e Zvicrës kanë festuar të shtunën në Biel/Bienne ditëlindjen e 30 të partisë së tyre. Krahas kremtes ata kanë bërë edhe publikimin e qëndrimeve të tyre në lidhje me dy votimet gjithëpopullore që do të mbahen më 9 qershor në Zvicër. Delegatët janë përcaktuar për përgjigje negative, si në votimin për ashpërsimin e Ligjit të Azilit ashtu dhe në atë për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Qeverisë Federale. 

Sa i përket ligjit të azilit, për votim kundër kanë qenë që të gjithë, 164 delegatët e pranishëm. Veçanërisht kritikë ndaj rishikimit, gjegjësisht ashpërsimit të këtij ligji, kanë qenë të Gjelbrit sa i përket mosnjohjes si bazë për pranim të azilit refuzimin e shërbimit ushtarak. Po ashtu sipas të Gjelbërve pamundësimi që parashihet në ligjin e ri që kërkesa për azil të bëhet në përfaqësitë diplomatike, është një hap kontraproduktiv. Kjo i detyron sidomos gratë dhe fëmijët që, në përpjekje për të ikur nga vendi i tyre të bëhen pre e bandave të trafikantëve.

Lidhur me zgjedhjen direkte të qeverisë, të iniciuar nga SVP/UDC  ka pasur divergjenca, por në fund 150 kanë votuar kundër dhe 16 pro.

Megjithatë, krahas formulimit të qëndrimeve të përmendura politike, në fokus të manifestimit në Biel ka qenë jubileu festiv.

Bashkëkryetarja Yvonne Rütz duke folur për historinë 30 vjeçare të partisë ka thënë se “Të Gjelbrit janë paraqitur para 30 vitesh për të ndryshuar botën. Dhe ata kanë ndryshuar së paku Zvicrën”, ka thënë Rütz. Ndërsa bashkëkryetarja tjetër, nga Zvicra Frankofone,  Adele Thorens ka thënë se “Partia jonë nuk është parti e utopistëve”. “Shumëçka që në fillimet e të Gjelbërve dukej utopiste sot është shndërruar në përditshmëri dhe është pranuar gjerësisht”, e ka plot¨üesuar Rütz.

Delegatët në këtë përvjetor kanë prerë 30 torta me ngjyrë të gjelbër duke simbolizuar kështu numrin e viteve dhe ngjyrën që e përfaqëson partia.