Opinione

Mbresa udhëtimesh

Në shtëpinë e Kongresit të alfabetit të gjuhës shqipe, në Manastir (Bitol)

Ishte e diel, më 18.11.2018, kur mbërrimë në Ohër. Që nga Pogradeci na përcolli një shi i lehtë. Në një nga restorantet buzë liqenit po pinim kafetë dhe po planifikonim të niseshim në drejtim të Manastirit. Ishte ora 10. 45 kur u nisëm nga Ohri, nuk patëm vështirësi të merrnim drejtimin e duhur. Po udhëtonim me makinë dhe rrugës pas më pak se një orë udhëtim nisi të bjerë borë. Në fillim nuk na shqetësoi, por ajo sa vinte e shtohej, bëhej më e dendur dhe rruga po bëhej gjithnjë e më e vështirë.

Pasi e kaluan Resenin dhe po i afroheshim një qafë mali, policia na paralajmëroi se po i afroheshim një segmenti rruge ku bora kishte krijuar vështirësi në qarkullim, prandaj duhej të ishim të kujdesshëm. Vërtet, bora na befasoi, arritëm në një lartësi të madhe mbidetare, e rruga ishte e tëra e mbuluar me borë. Asnjë shenjë përkujdesjeje për mirëmbajtjen e rrugëve, me gjithë atë intensitet bore! Ne po lëshoheshim teposhtë rrugës me shumë kujdes, derisa në anën e kundërt shihnim kamionë që kishin ngelur në rrugë…

Po i afroheshim Manastirit (Bitolit), më kot shpresoja se në qytet mund të mos binte borë, ajo vazhdonte të binte me të njëjtin intensitet. Sikur donte të na nxirrte pengesa në realizimin e objektivit tonë. Hymë në qytet dhe arritëm në qendër, në parkun në mes të dy xhamive, ku e parkuam makinën. Ku të orientoheshim, si ta gjenim objektin ku ishte mbajtur Kongresi i para 110-vjetësh. Pak makina lëviznin nëpër qytet, edhe më pak kalimtarë!

Moti sikur donte të na e pamundësonte gjetjen, e megjithatë ne ishim të vendosur. Një lumth e ndante qytetin, ne gjendeshim në anën e djathtë të tij dhe me sy kërkoja ndonjë objekt të ngjashëm me atë që kisha parë në foto…. Një kalimtar i rrallë po vinte në drejtimin tonë dhe, me gjithë hamendjen dhe drojën që kisha për reagimin e tij, vendosa ta pyesja. E përshëndeta dhe, për befasi, pasi më dëgjoi me vëmendje, u kujtua pak dhe me shumë mirësjellje ma ktheu se me sa di ai, objekti ndodhet në anën tjetër të lumit, nja 500 metra nga vendi ku ishim në drejtimin nga kishim ardhur. Më tregoi urën ku mund ta kaloja dhe u largua duke më përshëndetur. E përshëndeta edhe unë dhe, i befasuar nga mirësjellja e tij, sikur mora zemër se do t’ia dilnim. U nisëm në atë drejtim duke u munduar të identifikoj objektin që e kërkonim. Në gjithë atë anë të rrugës dukeshin objekte të ndryshme, por kurrsesi ta shihja atë që e synonim. Bora na e pamundësonte të lëviznim lirshëm dhe kur na humbën shpresat se nuk do ta gjenim, para nesh na doli objekti që e kërkonim me mbishkrimin e caktuar.

A thua të ishim para tij, a thua e gjetëm! Për t’u bindur e lexonim dhe e rilexonim mbishkrimin e vendosur në një pllakë jo shumë të dukshme, le që ajo sikur e humbte shkëlqimin nga muri i dëmtuar… U fotografuam para objektit dhe, ashtu i dëshpëruar me pamjen e jashtme, diçka sikur më grishte të mos largohesha menjëherë, sikur nuk mjaftonte vetëm kjo, duhej të kishte më shumë… Një ngjarje aq e madhe, të të ofronte vetëm kaq… Të përqendruar vetëm në pllakën me mbishkrim, fillova të vrojtoj objektin më me kujdes, kur në një derë të drunjtë që mezi hapej nga vjetërsia e pashë një orar vizitash, gati i pavërejtur. E shtymë derën, e cila mezi hapej kur para na doli një ambient muzeu. Në mes të atij korridori, në të dy anët e të cilit ngjiteshin shkallë të drunjta në katin sipër, ishte e varur një foto e madhe e personaliteteve  kryesore të Kongresit, e poshtë tij një foto tjetër me mbishkrimet e tyre dhe me vendimet e marra nga ta atëkohë. Të befasuar nga kjo që po shihnim, kur po kërkonim edhe ambiente të tjera të kësaj natyre, shkallëve po zhdirgjej një djalë i ri, rreth të 30-ve, i cili në gjuhën maqedonase na përshëndeti dhe na tregoi se muzeu ndodhet na katin lart, të cilin mund ta vizitonim.

Kur e kuptoi se ishim nga Kosova, edhe pse vizita ishte 100 denarë (1.5 euro) për person, ai me shumë mirësjellje na priu lart dhe na i tregoi hapësirat, të cilat mund t’i vizitonim, për më shumë, edhe pa pagesë. Në anën e majtë të korridorit ishte salla më e madhe, me logon e Kongresit në ballë dhe në të gjitha anët me fotot e personaliteteve kryesore të asaj kohe: të vëllezërve Frashëri, Bajo Topulli, Konstandin Kristoforidhi, Themistokli Gërmenji…

Në anën e djathtë ishin edhe dy dhoma, me foto të personaliteteve shqiptare, me ekspozimin e veshjeve kombëtare, me dokumente të ndryshme të kohës. Dhe, për befasinë tonë, në dhomën e skajshme para na dolën, si të ishin të gjallë, ama krejt të gjallë, personalitetet kryesore të Kongresit të alfabetit shqip. Sa madhështorë dukeshin, sa origjinalë me formën, pamjen dhe veshjen e tyre! Ndodheshim para një fakti impresionues, frymoja, ndjeja dhe mendërisht u ktheva në vitin 1908! Atë që po e përjetoja, nuk mund ta them me fjalë, atë që e ndjeja në shpirt, nuk mund ta përshkruaj, ajo që po më vlonte në mendje, kurrsesi ta formësoja në përmasat reale. Shpirtërisht u njëjtësova me atë moment, me ato kohë dhe me ato personalitete. Le pastaj me aktin e tyre historik: me vendimet e tyre për alfabetin e gjuhës shqipe! Me ato germa që paraqesin themelin e dijes, kulturës dhe historisë sonë kombëtare. Me atë alfabet që i dha vulë identitetit tonë kombëtar! Sa ishin me peshë vendimet e tyre, po aq krenar po ndjehesha tani, para “tyre”, të përjetësuar në këtë muze, për angazhimin, vetëdijen e tyre dhe për kontributin e madh, të pallogaritshëm, për çështjen kombëtare. Sikur po më gërryente ndërgjegjja se nuk i kemi çmuar me peshën e njëmendtë, me rëndësinë historike që kanë për qenien tonë kombëtare, për identitetin tonë kulturor, sikur i kemi shpërfillur! Mbase po e teproj pak, por se po ndjehesha me faj që nuk i kam vizituar më parë, s’ka dyshim. Bëmat e tyre, angazhimi i tyre, kontributi i tyre ka ngjyrimet e mirëfillta të personaliteteve të mëdha, të patriotëve të njëmendtë, të intelektualëve që e dinë peshën edhe përgjegjësinë për çështje madhore, në një moment kritik të historisë sonë kombëtare…

Në dalje, libri i përshtypjeve, mbresave: të dilja pa e shkruar një fjalë të vetme…! Ashtu i përhumbur dhe gati i ekzaltuar e i papërmbajtur, i zhytur i tëri në të kaluarën, shkrova: “Sa të vogël jemi përballë të mëdhenjve, e fatkeqësisht mburremi përtej peshës sonë… Lavdi dhe respekt të përjetshëm Gjergj Fishta, Ndre Mjeda…”

Po zbritja atyre shkallëve me shikimin prapa dhe i përhumbur në kujtime: pa vrojtuar në të shkuarën tonë, pa e njohur atë me themel, të ardhmen do ta kemi tejdukshmërisht pa bërthamë, pa formë dhe, rrjedhimisht pa qenësi. A guxojmë të lejojmë diçka të tillë, a u kemi borxh gjeneratave, a ndjejmë përgjegjësi për të ardhmen tonë… Respekt frymës së kohës, por të mos i harrojmë rrënjët tona, se mund të na shformësojë e ardhmja.

E atëherë!