CH-Ballkani

Konferencë ministrore mbi bashkëpunimin e EFTA-s me Kosovën

Këshilltari zviceran federal, Johann N. Schneider-Ammann, më 23 nëntor 2018, në Gjenevë, do ta udhëheq Konferencën Ministrore të Shoqatës Europiane të Tregtisë së Lirë (EFTA, anëtarët e së cilës janë Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra).

Ministrat do ta diskutojnë kryesisht politikën e tregtisë së lirë të shteteve të EFTA-s, kundrejt shteteve jashtë Bashkimit Europian (BE). Në margjinat e konferencës, është planifikuar të nënshkruhet marrëveshja e rishikuar dypalëshe bujqësore, mes Zvicrës dhe Izraelit, një deklaratë e bashkëpunimit ndërmjet shteteve të EFTA-s dhe Kosovës, si dhe një deklaratë e përbashkët mbi përfundimin e negociatave të tregtisë së lirë me Indonezinë, informon Albinfo.ch.

Nën kryesimin e këshilltarit federal, Johann N. Schneider-Ammann, ministrat e EFTA-s do të shqyrtojnë punën dhe perspektivat për politikën e tregtisë së lirë të Shteteve të EFTA-s. Diskutimet do të përqëndrohen në zgjerimin e rrjetit të marrëveshjeve të tregtisë së lirë, duke synuar rritje të zhvillimit të lartë të vendeve të tilla siç janë India, Malajzia, vendet anëtare të Merkosur dhe Vietnam, si dhe të punës për zhvillim të marrëveshjeve ekzistuese të tregtisë së lirë me Meksikën, Kanadanë, Kilin dhe Bashkimin doganor të Afrikës Jugore (SACU). Hapja më e madhe e tregjeve të eksportit është me rëndësi të madhe për Zvicrën dhe kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në politikën afatgjate të Këshillit Federal.

Do të trajtohet gjithashtu orientimi strategjik i EFTA-s në kontekstin e çështjeve aktuale të politikës tregtare. Në këtë kontekst, ministrat do të diskutojnë në veçanti daljen e planifikuar të Britanisë së Madhe nga BE dhe pasojat e saj për EFTA.

Është paraparë edhe një takim me ministrin indonezian të Tregtisë, Enggartiasto Lukita dhe nënshkrimi i një deklarate të përbashkët për përfundimin e negociatave të tregtisë së lirë në margjinat e konferencës ministrore, si dhe nënshkrimi i marrëveshjes bilaterale bujqësore midis Zvicrës dhe Izraelit dhe një deklaratë bashkëpunimi midis shteteve të EFTA-s dhe Kosovës.

Në fund, ministrat do të takohen për një shkëmbim pikëpamjesh, me Komisionin Parlamentar dhe Komitetin Konsultativ (që përfaqësojnë partnerët socialë) të EFTA-s.