Tematike

Produktet “hallall” në Gjermani?

Mishi „hallall“ dhe produktet tjera të këtilla shitet kryesisht në dyqane turke dhe arabe. Kërkesat janë në rritje megjithatë tregtia gjermane me pakicë është skeptike ndaj produkteve “hallall”.

Ata që duan të blejnë në Gjermani ushqime konform fesë islame, shkojnë në shumicën e rasteve tek dyqani më i afërt turk apo arab.
Të ashtuquajturat ushqime „hallall“ i përgjigjen përcaktimeve të fesë islame dhe ndër të tjera nuk përmbajnë asnjë gjurmë mishi derri apo alkooli.
Myslimanët shpesh nuk arrijnë të gjejnë ushqimet që kërkojnë në supermarketet gjermane, pasi tregtia gjermane me pakicë po hapet shumë ngadalë për këtë segment klientele.

Në Gjermani jetojnë rreth 4,3 milionë myslimanë.

Sipas „Mekkafood“, një prej prodhuesve kryesorë të ushqimeve të ngrira hallall, pjesa në tregun ndërkombëtar për ushqime hallall është rreth 450 milionë euro. Në Gjermani kjo pjesë mund të jetë pesë miliardë euro.”Por ky segment vazhdon të jetë një treg qoshe, i cili zhvillohet shumë ngadalë”, thotë Tom Buschmann nga Mekkafood për DW.  Këtu tregtia me pakicë rrezikon të humbasë një potencial të madh dhe lë pas dore një grup klientele në rritje. Pjesa më e madhe e myslimanëve sipas tij, do t’i blenin produktet hallall edhe në supermarkete, nëse ato do të ofroheshin atje.

Edhe rrjeti „McDonald’s“ është përpjekur të shfrytëzojë potencialin ekonomik të produkteve „hallall“. Në SHBA kompania është e detyruar tani t’u paguajë 500 mijë euro organizatave të ndryshme myslimane, pasi në dy filiale ishin shitur si „hallall“ produkte me mish pule pa qenë të tilla.

Fjala arabe “hallall” mund të përkthehet “e lejuar”. Ajo përshkruan sende dhe veprime, të cilat janë të lejuara sipas së drejtës islame. Këtu bëjnë pjesë në veçanti shumë rregulla për ushqimet. Sipas fesë islame, ushqimet duhet të respektojnë kërkesa të veçanta sa i takon higjenës dhe mënyrës së prodhimit. P.sh. ushqimet duhet të jenë të pastra nga gjaku dhe fekalet. Veç kësaj kafshët duhet të jenë rritur duke respektuar nevojat e tyre dhe të kenë pasur ushqim të mirë. Gjatë therjes, për çdo kafshë duhet të jetë thënë një lutje e shkurtër dhe duhet të jetë kthyer në drejtim të Mekës.

Por si mund të dijë një klient mysliman në Gjermani se çfarë është hallall dhe çfarë jo? Deri tani atij i duhet të lexojë tekstin me germa të vogla në paketim, për të parë nëse në ushqime ka lëndë të ndaluara. Por kjo nuk ndihmon shumë pasi jo gjithnjë janë të dhënë të gjithë përbërësit. Për shembull disa lloje lëngje frutash, të cilat janë vetiu të turbullt, bëhen të kthjellët me xhelatinë. Vendosja e siglave të njësuara do të sillte qartësi.

Industria ushqimore, para së gjithash koncernet e mëdha si „Nestlè“, „Zentis“, „Wiesenhof“, „Meggle“ dhe „Haribo“, prej kohësh i çertifikojnë si „hallall“ produktet e tyre. Vetëm me një çertifikatë të tillë sipërmarrësit mund të fitojnë besimin e klientelës myslimane. Megjithatë sipërmarrjet gjermane vazhdojnë të jenë të kujdesshme me këto çertifikata.

Yavuz Özoguz, shef i qendrës së çertifikimit M-Haditec në Bremen, e kritikon këtë. Në supermarketet e mëdha ka tashmë shumë produkte hallall, por për to nuk bëhet reklama në mënyrë ofensive.

“Në Francë, Belgjikë apo në Holandë ka dyqane ku është e shkruar me shkronja të mëdha ‘hallall'”. Për këto rezerva të tregtarëve gjermanë ka disa arsye: nga njëra anë tregtia ushqimore me pakicë në Gjermani i druhet reagimit të klientelës jomyslimane ndaj ofertës. Por është e paqartë nëse masa e klientëve gjermanë ka vërtet problem me siglën ‘hallall’ në paketimin e produktit.

Veç kësaj në Gjermani ekziston frika ndaj një problemi imazhi, thotë një zëdhënës i institutit evropian të certifikimit „hallall“. Therjet „hallall“ shumëkush në Gjermani i konsideron si torturë për kafshët. Në prodhimin masiv nuk ekziston më therja e kafshëve pa mpirje.
Krahas sulmeve nga mbrojtësit e kafshëve përmendet si arsye edhe fakti që certifikuesit aktivë në Gjermani nuk janë të një mendje. Mungesa e një certifikimi të njësuar të produkteve hallall konsiderohet problematike. Gjithsej janë pesë qendra certifikimi në Gjermani, të cilat kanë krijuar një aleancë, por nuk kanë një sigël të përbashkët.

Megjithatë certifikuesit e produkteve hallall janë të një mendje se industria ushqimore hallall do të etablohet edhe në Gjermani dhe jo vetëm tek myslimanët. Por kjo do të zgjasë pak më shumë se në vende të tjera evropiane.