Sporte Luftarake

Rikthehet Krasniqi, dëshiron fitore

Haxhi Robin Krasniqi e Landaeta do të zbresin në ring të shtunën, më 17 nëntor, nga ora 22:20

Njëri nga boksierët më të mirë shqiptar për momentin është Haxhi Robin Krasniqi.

Ai sot do të rikthehet në ring për t’u përballur me boksierin nga Venezuela, Ronny Landaeta, përcjell albinfo.ch.

Krasniqi ishte paraparë që të boksonte me Stefan Hartelin, por kjo nuk u realizua, dhe promotori i tij siguroi meçin ndaj Landaetas.

“Respekt për punën që ka bërë promotori im, dhe mirë që ekipi i Ronny Landaetas u pajtua kaq shpejtë, përndryshe përgatitjet e mira do të shkonin huq”, është shprehur Krasniqi.

31-vjeçari shqiptar për këtë meç është përgatitur përreth tre muaj, pasi kishte fituar titullin në qershor të këtij viti.

“Ai (Landaeta) do të jetë ndryshe në ring. Qetësia e tij tregon se a është përgatitur mirë, duket i sigurt, ka vetëbesim. Roony Landaeta është më i rrezikshëm se Hartel. Duke marrë parasysh se ai ka përvojë edhe në sporte tjera luftarake, duhet të përgatitem edhe më shumë”, u shpreh Krasniqi.

Krasniqi e Landaeta do të zbresin në ring të shtunën, më 17 nëntor, nga ora 22:20.